Presidenti turk: Gaza ka nevojë për shërim dhe rindërtim

Presidenti turk: Gaza ka nevojë për shërim dhe rindërtim

Bota October 17, 2025 - 21:43

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka theksuar se Gaza ka nevojë urgjente për shërim dhe rindërtim, duke vënë në dukje përpjekjet e Turqisë për të siguruar që marrëveshja aktuale mes Hamasit dhe Izraelit të kontribuojë në një paqe të qëndrueshme.

Duke folur në Forumin e 5-të të Biznesit dhe Ekonomisë Turqi-Afrikë në Stamboll, Erdogan tha se: “Për shkak të historikut të dobët të Izraelit, mbetemi të kujdesshëm, pasi Gaza ka nevojë urgjente për t’u shëruar dhe rindërtuar”.

Ai shtoi se Turqia po bën përpjekje intensive për të siguruar që marrëveshja Hamas-Izrael të zgjasë dhe të hapë rrugën për një paqe të qëndrueshme.

Lidhur me krizën e vazhdueshme në Sudan, Erdogan u shpreh i trishtuar për përleshjet atje dhe kërkoi armëpushim e paqe të qëndrueshme.

Presidenti turk nënvizoi gjithashtu se komuniteti ndërkombëtar nuk i ka kushtuar vëmendje të mjaftueshme tragjedisë në Sudan, duke theksuar se: “Ndalimi i gjakderdhjes është detyrë humanitare e të gjithëve”.

“Bota perëndimore, për fat të keq, i sheh luftërat civile, konfliktet dhe mosmarrëveshjet në Afrikë si fatin e kontinentit”, tha Erdogano.