
Trump i bën thirrje Ukrainës dhe Rusisë: Ndaloni luftën aty ku jeni
Presidenti amerikan, Donald Trump, u bëri thirrje Ukrainës dhe Rusisë që të “ndalin aty ku janë” dhe të përfundojnë luftën e tyre shkatërruese, pas një takimi disaorësh në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
Frustrimi i Trump-it me këtë konflikt është shfaqur vazhdimisht gjatë nëntë muajve që kur ai u rikthye në pushtet, por komentet e fundit shënojnë një rikthim drejt qëndrimit të mëparshëm të tij – duke e shtyrë Kievin të heqë dorë nga përpjekjet për të rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia, raporton AP.
“Është derdhur mjaftueshëm gjak, me kufij që përcaktohen nga lufta dhe trimëria”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, pak pasi kishte zhvilluar mbi dy orë bisedime me Zelenskyyn dhe ekipin e tij. “Duhet të ndalen aty ku janë. Le të pretendojnë të dy palët se fituan, historia le të vendosë!”.
Më vonë, pas mbërritjes në Florida ku do ta kalojë fundjavën, Trump përsëriti thirrjen për ndalimin e menjëhershëm të luftës dhe la të kuptohet se Moska duhet të mbajë territoret që i ka marrë Ukrainës.
“Duhet të ndaloni në vijën e frontit, aty ku ndodheni, përndryshe bëhet shumë e ndërlikuar”, tha Trump para gazetarëve. “Të dy palët duhet të kthehen në shtëpi, te familjet e tyre, të ndalin vrasjet, dhe kjo duhet të jetë e gjitha”.
Sipas agjencisë Associated Press, këto deklarata përbëjnë një tjetër ndryshim në qëndrimin e Trump-it ndaj luftës. Vetëm disa javë më parë ai kishte shfaqur durim gjithnjë e më të vogël ndaj presidentit rus, Vladimir Putin dhe një gatishmëri më të madhe për të ndihmuar Ukrainën.
Pas takimit të muajit të kaluar me Zelenskyyn në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Trump kishte deklaruar madje se besonte që Ukraina mund të rimerrte gjithë territorin e pushtuar që nga fillimi i agresionit rus në shkurt 2022, një kthesë e madhe nga qëndrimi i mëparshëm i tij, sipas të cilit Ukraina duhej të pranonte humbjen e disa territoreve për t’i dhënë fund luftës.
Pas takimit të së premtes, Zelenskyy u shpreh se ishte koha për një armëpushim dhe për fillimin e negociatave. Ai shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë për nxitjen e mundshme të Trump-it që Ukraina të heqë dorë nga territori i pushtuar.
“Presidenti ka të drejtë, duhet të ndalemi aty ku jemi, dhe pastaj të flasim”, tha Zelenskyy para gazetarëve, kur u pyet për postimin e Trump-it në rrjetet sociale.
Kthesë tjetër në tonin e Trump-it
Ky ndryshim vjen menjëherë pasi Trump zhvilloi një bisedë telefonike të gjatë me Putinin të enjten dhe njoftoi se planifikon të takohet me të në javët e ardhshme në Budapest të Hungarisë.
Gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump sinjalizoi gjithashtu se po anon drejt refuzimit të shitjes së raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi Tomahawk për Ukrainën, armë që Kievi beson se mund të ndryshojnë ekuilibrin në fushëbetejë.
Në fillim të takimit, Zelenskyy propozoi një marrëveshje në të cilën Ukraina do t’i ofronte SHBA-së dronët e saj të avancuar, ndërsa Uashingtoni do t’i shiste raketat Tomahawk. Por Trump u tregua i rezervuar, duke thënë:
“Kam detyrimin të sigurohem që SHBA është plotësisht e përgatitur, sepse nuk e di kurrë çfarë mund të ndodhë në kohë lufte apo paqeje. Do të preferonim që të mos kenë nevojë për Tomahawks. Do të preferonim që lufta të përfundojë”.
Në një intervistë për NBC, Zelenskyy komentoi se “është mirë që Presidenti Trump nuk tha ‘jo’, por për sot, nuk tha as ‘po’.” Ai shtoi se Ukraina “ka nevojë për Tomahawks”, sepse “është shumë e vështirë të mbrohesh vetëm me dronët ukrainas”.
Raketat Tomahawk, me rreze veprimi rreth 1,600 kilometra, do t’i mundësonin Ukrainës të godasë objektiva të rëndësishme brenda territorit rus, si bazat ushtarake, objektet energjetike dhe infrastrukturën kritike, për të detyruar Putinin të pranojë negociatat.
Por pas bisedës telefonike me Putinin, Trump filloi ta minimizojë mundësinë e këtij furnizimi, pasi Moska paralajmëroi se dërgimi i këtyre raketave do të dëmtonte rëndë marrëdhëniet SHBA-Rusi.
Këshilltari për politikë të jashtme i Kremlinit, Yuri Ushakov, tha se Putini kishte paralajmëruar Trump-in se “dërgimi i Tomahawks në Ukrainë nuk do ta ndryshojë situatën në fushëbetejë, por do të dëmtojë rëndë marrëdhëniet mes dy vendeve”.
Ky ishte takimi i pestë ballë për ballë midis Trump-it dhe Zelenskyyt që kur presidenti republikan u rikthye në detyrë në janar. Trump tha se ende nuk është vendosur nëse Zelenskyy do të përfshihet në takimin e ardhshëm me Putinin në Hungari, por sugjeroi mundësinë e një “takimi të dyfishtë” për të krijuar kushte më të përshtatshme për negociata.
“Dy liderët nuk e duan njëri-tjetrin, ndaj duhet ta bëjmë situatën sa më të rehatshme”, tha Trump.
Ndërkohë, Zelenskyy theksoi se “urrejtja ndaj Putinit nuk është çështje ndjenjash”.
“Ata na kanë sulmuar, pra janë armiqtë tanë. Nuk synojnë të ndalen. Kjo nuk ka të bëjë me ndjenja personale, megjithëse, padyshim, ne e urrejmë armikun”, shtoi ai.
Trump kishte premtuar që në fushatën e tij të vitit 2024 se do ta përfundonte shpejt luftën në Ukrainë, por përpjekjet e tij për paqe duket se kanë ngecur pas samitit të gushtit me Putinin në Alaskë dhe takimit në Shtëpinë e Bardhë me Zelenskyyn dhe aleatët evropianë.
Me gjithë këtë, ai tha se është i bindur se mund të menaxhojë marrëdhënien me Putinin:
“Më kanë provuar më të mirët në botë dhe gjithmonë kam dalë mirë. Mendoj se jam mjaft i mirë në këtë punë”, tha Trump.