Hamasi akuzon Izraelin: Po shkel marrëveshjen e armëpushimit

Hamasi akuzon Izraelin: Po shkel marrëveshjen e armëpushimit

Bota October 18, 2025 - 15:47

Trupat e 10 pengjeve izraelite janë dorëzuar tashmë nga Hamas dhe në Gaza kanë mbetur edhe 18 të tjerë.

Izraeli identifikoi trupin e dorëzuar së fundmi: 76 vjeçari Eliyahu Margalit. Ai u rrëmbye nga stallat e kuajve ku punonte në Kibbutz Nir Oz kur Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023. Grupi palestinez po kërkon edhe trupat e tjerë nën rrënoja, edhe pse gjetja e tyre është e vështirë.

Ndërkohë Kryqi I Kuq ka dërguar në enklavë grupin e katërt të trupave të palestinezëve të pajetë që mbaheshin nga Hamas. Nga ana tjetër, të burgosurit palestinezë që u liruan nga burgjet izraelite kanë raportuar çdo ditë për torturat që kanë kaluar. Ata kanë treguar se janë dhunuar dhe keqtrajtuar çdo ditë, teksa janë përballur edhe me torturë psikologjike.

Në terren, armëpushimi mbetet I brishtë. Hamasi ka akuzuar Izraelin se ka shkelur marrëveshjen, duke vrarë 11 anëtarë të një familjeje në jug të Gazës, pasi dyshohet se kaluan vijën e verdhë të kontrollit të ushtrisë izraelite.

Kështu numri total I njerëzve të vrarë nga Izraeli që nga hyrja në fuqi e armëpushimit ka shkuar në 28.

Sipas Mbrojtjes Civile të drejtuar nga Hamas, nën rrënojat e Gazës besohet se janë rreth 10 mijë trupa të palestinezëve të vrarë.

Nga ana tjetër grupi palestinez I ka kërkuar Shteteve të Bashkuara dhe ndërmjetëseve që të ushtrojnë presion mbi Izraelin që të respektojë marrëveshjen e armëpushimit.

Sasia e ndihmave që kanë hyrë në enklavë gjithë këto ditë ka qenë rreth 300 kamionë, ndërkohë që sipas marrëveshjes, duhet të hynin 600 në ditë.

Pika kufitare e Rafah mbetet e mbyllur dhe Izraeli ka thënë se ajo do të hapet vetëm për kalimin e njerëzve, jo të ndihmave. Rafah është kalimi më I rëndësishëm për Gazën, pasi është e vetmja pikë kufitare që nuk ka dalje në Izrael, por në Egjipt.  /abcnews