
Evropa paralajmëron Ukrainën: Mos lëshoni asnjë territor në rast paqeje
Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, deklaroi ditën e sotme se Ukraina nuk duhet të dorëzojë territore ndaj Rusisë në kuadër të ndonjë marrëveshjeje paqeje, duke theksuar se një veprim i tillë do të dërgonte një mesazh të rrezikshëm në nivel ndërkombëtar.
“Po të lejojmë dorëzimin e territoreve, atëherë po i japim të gjithëve mesazhin se mund të përdorin forcën për të marrë atë që duan nga fqinjët e tyre,” tha Kallas për gazetarët në Luksemburg pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së.
Këto komente vijnë pas presionit të ushtruar nga presidenti amerikan Donald Trump ndaj Kievit për të dorëzuar rajonin e Donbasit si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi.
Trumpi deklaroi gjithashtu në një intervistë për Fox News Sunday se Rusia do të mbajë një pjesë të territoreve që ka pushtuar gjatë luftës.
Kallas theksoi se bisedimet për përfundimin e luftës nuk mund të kenë sukses pa përfshirjen e Ukrainës dhe të Evropës.
Ajo shtoi se çështja nuk është vetëm çfarë mund të rikuperosh me armë, por edhe çfarë pranon si territor të një shteti tjetër.