
Suedia dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshje për furnizim me 100 aeroplanë luftarakë Gripen
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se kontrata e bashkëpunimit në zhvillimin e aftësive ajrore midis Ukrainës dhe Suedisë u nënshkrua sot dhe do të hapë rrugën për transferimin e rreth 100 aeroplanëve luftarakë Gripen.
Zelensky e tha këtë gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin suedez Ulf Kristersson në fabrikën e Saab, ku u zhvillua nënshkrimi, raporton Ukrinform.
“Sot, siç e përmendi kryeministri, kemi filluar procesin që Ukraina të marrë aeroplanë Gripen. Presim që kontrata e ardhshme do të na lejojë të marrim të paktën 100 prej këtyre”, ka thënë Zelensky.
“E kuptojmë qartë se ky është një proces [i gjatë] dhe e kuptojmë qartë bazën financiare të nevojshme për të zbatuar këtë kontratë të rëndësishme. E diskutuam këtë me kryeministrin dhe me udhëheqjen e Saab. Jam mirënjohës ndaj Suedisë për gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar në këtë”, ka shtuar më tej Zelensky.
Siç ishte thënë më herët, Suedia dhe Ukraina më 22 tetor nënshkruan një letër qëllimi për një kontratë të ardhshme për blerjen e deri në 150 aeroplanëve luftarakë modernë Gripen E për të forcuar Forcën Ajrore Ukrainase.