Rutte: Varet nga SHBA-ja nëse do t’i sigurojnë raketat ose jo
Shtetet e Bashkuara dhe Presidenti Amerikan Donald Trump po shqyrtojnë ende mundësinë e dërgimit të raketave Tomahawk në Ukrainë. Ishte sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte i cili zbuloi qëndrimin e Washingtonit zyrtar këtë të premte nga Londra vetëm disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës sanksionuan industrinë ruse të Naftës.
Kreu i Aleancës Veri Atlantike deklaroi se çdo vend vendos në mënyrë të pavarur mbi armatimet që i jep Kievit ndërsa u zotua për mbështetje të vazhdueshme nga vendet e NATO-s.
Nga Konferenca përmbyllëse për shtyp e Koalicionit të të Vullnetshmeve që u mbajt në Londër Presidenti Ukrainas Volodymir Zelensky deklaroi se vendi i tij ka luftuar për të gjetur mënyra për të prodhuar vetë sistemet e mbrojtjes kundërajrore.
Ai nënvizoi se që prej fillimit të luftës me Rusinë, Kievi ka rritur ndjeshëm prodhimin e industrisë mbrojtëse dhe aktualisht rreth 60 për qind e armëve prodhohen në vend. Megjithatë, Ukraina mbetet e varur nga Perëndimi për sa i përket raketave dhe sistemeve kundërajrore.
Të gjithë udhëheqësit Europian pjesë e Koalicionit të të Vullnetshmëve për Ukrainën deklaruan këtë të premte se janë të vendosur të godasin financiarisht Rusinë me qëllimin e qartë që ky presion të sjellë Presidentin Rus Vladimir Putin në tryezën e negociatave të paqes.
Sekretari i Përgjithshëm I NATO-s Mark Rutte deklaroi se Presidentit Rus Vladimir Putin dhe Rusisë po i mbarojnë paratë, trupat ushtarak dhe Idetë mbi atë se çfarë do të bëj me luftën që nisi në Europën Lindore .
Raketat Tomahawk me rreze të gjatë veprimi që mund të godasin deri në një distance prej 2500 kilometrash janë raketa që mund të ndryshojnë tërësisht fatin e betejës duke I dhënë mundësinë Ukrainës që të godasë thellë brenda Rusisë. Donald Trump vendosi të mos I jepte këto raketa Ukrainës në takimin e fundit me Zelenskyn duke arsyetuar se ka ende vend për dialog dhe se dëshironte që palët të uleshin në tryezën e bisedimeve të paqes. Moska kishte deklaruar se dërgimi I këtyre raketave në Kiev do të përkeqësonte marrëdhëniet mes Kremlinit dhe Washingtonit. Megjithatë Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se po e shqyrtojnë ende një opsion të tillë pasi Donald Trump shtyu përkohësisht një takim me Vladimir Putin duke akuzuar Moskën se nuk kishte hequr dorë nga qëllimet e saj maksimaliste dhe se nuk donte paqe. /abcnews