 
 
													Uragani Melisa shkatërron Xhamajkën
Pamjet e para satelitore kanë zbuluar përmasat e shkatërrimit që la pas Uragani Melissa, pasi goditi Xhamajkën më herët këtë javë me erëra që arritën shpejtësi deri në 185 milje në orë (rreth 300 km/h).
Syri i stuhisë preku tokën në brigjet jugperëndimore të ishullit, rreth 120 kilometra nga kryeqyteti Kingston, të martën. Pamjet “para dhe pas” të marra nga satelitët e kompanisë Vantor tregojnë dëmet e mëdha në qytetin Black River, kryeqendra e qarkut St Elizabeth Parish.
Në fotografitë krahasuese shihet qartë shkatërrimi: shumë shtëpi dhe biznese kanë mbetur pa çati, ndërsa disa ndërtesa janë rrënuar plotësisht. Tregu i mbuluar i ushqimeve është shkatërruar tërësisht, ashtu si edhe kisha anglikane e Shën Gjonit, një nga më të vjetrat në Xhamajkë nga e cila ka mbetur vetëm kulla e kambanës.
Shtëpitë përgjatë vijës bregdetare kanë pësuar dëmet më të mëdha nga përmbytja dhe stuhia e fuqishme, ndërsa në fshatin peshkatar White House, rrugët janë kthyer në grumbuj rrënojash. Pothuajse të gjithë pemët janë zhveshur nga gjethet për shkak të forcës së erës.
Pamjet e reja satelitore ofrojnë një panoramë tronditëse të pasojave që ka lënë Uragani Melissa, ndërsa autoritetet xhamajkane po vlerësojnë dëmet dhe po përpiqen të rikthejnë furnizimet me energji, ujë dhe ndihma për banorët e prekur.
 
 
											