Zohran Mamdani mposhti miliarderët dhe u bë kryetari i parë mysliman i New Yorkut
Kandidati demokrat, Zohran Mamdani, u zgjodh të martën kryebashkiaku i 111-të i New Yorkut, duke mposhtur ish-guvernatorin, Andrew Cuomo dhe kandidatin republikan, Curtis Sliwa, dhe shkroi histori si myslimani i parë që bëhet kryebashkiak i qytetit.
Politikani 34-vjeçar, demokrato-socialist dhe anëtar i asamblesë shtetërore nga Queens, siguroi fitoren me më shumë se 50 për qind të votave. Cuomo (67) përfundoi i dyti me pak mbi 40 për qind, ndërsa kandidati republikan Curtis Sliwa mori pak mbi 7 për qind të votave.
Fitorja historike e Mamdanit u shpall në mes të një vale fitoreje demokratike në të gjithë vendin, ndërsa kongresistja Abigail Spanberger u bë guvernatorja e parë e Virginias, Mikie Sherrill mundi kundërshtarin e mbështetur nga presidenti amerikan, Donald Trump në New Jersey, dhe Kalifornia votoi një propozim për rishpërndarje zonash që do t’i sillte partisë pesë vende të reja në Kongres.
Turma në festën zgjedhore të Mamdanit në Brooklyn Paramount shpërtheu në gëzim pasi Associated Press e shpalli fituesin e garës. Njerëzit brohoritnin dhe përqafoheshin nga gëzimi.
Përveçse është myslimani i parë që bëhet kryebashkiak i New Yorkut, Mamdani është gjithashtu kryebashkiaku i parë me origjinë nga Azia e Jugut dhe më i riu në më shumë se një shekull.
Kryebashkiaku aktual, Eric Adams, i cili kandidonte për një mandat të dytë si i pavarur, u tërhoq nga gara në muajin shtator.
Kur Mamdani nisi fushatën për kryebashkiak vjeshtën e kaluar, ai ishte një deputet shtetëror relativisht i panjohur. Por mesazhi i tij, i përqendruar në përballueshmëri dhe udhëtimet e shumta nëpër qytet, fitoi shpejt mbështetje dhe rezonoi me mijëra banorë të New Yorkut. Programi i tij parashikonte ngrirjen e qirave për banesat me qira të stabilizuara, ndërtimin e më shumë banesave të përballueshme, rritjen e pagës minimale në 30 dollarë në orë, transport publik falas me autobusë, taksa më të larta për më të pasurit e qytetit dhe më shumë masa progresive.
Gara tërhoqi vëmendje kombëtare dhe politikanë e analistë nga e gjithë spektri politik morën pjesë në debat. Madje edhe Donald Trump u përfshi, duke e quajtur Mamdanin “radikal” dhe “komunist”.
Të hënën, në prag të zgjedhjeve, Trumpi mbështeti Cuomon për kryebashkiak, duke thënë se nëse Mamdani fiton, do të ishte “shumë pak e mundshme” që qyteti të merrte fonde federale “përveç atyre minimalisht të nevojshme”.
“Pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo personalisht Andrew Cuomo, në të vërtetë nuk keni zgjedhje tjetër. Duhet të votoni për të dhe të shpresoni që do të bëjë një punë të shkëlqyer. Ai është i aftë për këtë, Mamdani jo!”, shkroi Trump në një postim në Truth Social.
Miliarderi Elon Musk gjithashtu u bëri thirrje banorëve të New Yorkut të votonin për Cuomon.
I lindur në Ugandë nga prindër indianë, Mamdani u shpërngul në New York me familjen e tij në moshën shtatëvjeçare dhe u bë qytetar amerikan në vitin 2018. Në muajin korrik, Trump përmendi mundësinë e heqjes së shtetësisë së Mamdanit – një kërcënim që ai e dënoi si “jo vetëm një sulm ndaj demokracisë sonë, por edhe një përpjekje për t’u dërguar mesazh çdo njujorkezi që refuzon të fshihet në hije: nëse flisni, do të vijnë pas jush”.
Pavarësisht sulmeve, fushata e Mamdanit pati një efekt domino në të gjithë vendin. Në muajin gusht, The Guardian raportoi se fushata e tij kishte frymëzuar mbi 10 mijë progresistë në SHBA të shqyrtojnë kandidimin për poste publike. /Telegrafi