Kush është Zohran Mamdani, migranti 34-vjeçar që do të udhëheqë me New Yorkun

Kush është Zohran Mamdani, migranti 34-vjeçar që do të udhëheqë me New Yorkun

Bota November 05, 2025 - 09:09

Vetëm një vit më parë ishte pothuajse i panjohur, Zohran Mamdani tani është bërë kryetar i 111-të i bashkisë së New Yorkut.

Shumë njujorkezë ia pëlqejnë prejardhjen prej migrantit dhe parimet socialiste, por jo edhe presidenti amerikan, Donald Trump.

Qyteti më i madh në Shtetet e Bashkuara më 4 nëntor përfundoi votimin për zgjedhjet e kryetarit të bashkisë për vitin 2025, ku 34-vjeçari mposhti republikanin, Curtis Sliwa dhe kandidatin e pavarur, Andrew Cuomo, i cili u mbështet nga Trump dhe Elon Musk.

Kush është Zohran Kwame Mamdani?

Image

Mamdani lindi më 8 tetor 1991 në Kampala, në Ugandë, me emrin Zohran Kwame Mamdani.

Ai është mysliman me prejardhje indiane. Nëna e tij, Mira Nair, është regjisore e njohur, ndërsa babai i tij, Mahmood Mamdani, është shkencëtar.

Familja iu zhvendos përkohësisht nga Uganda në Afrikën e Jugut kur Zohran ishte pesëvjeçar.

Dy vjet më vonë ai arriti me familjen në New York. Ai e ka përshkruar fëmijërinë si “të privilegjuar”, por pranon se përvoja nuk ishte tipike për atë qytet.

Ngjitja politike ka qenë e shpejtë. Ai u zgjodh në Asamblenë e shtetit të New Yorkut në vitin 2020.

Kur në muajin tetor të vitit 2024 shpalli kandidaturën për kryetar bashkie, shumë njerëz menduan se nuk kishte asnjë shans të afrohej me nominimin.

Në fund, triumfi ndaj Cuomos ishte bindës - fitoi 56,4 për qind të votave.

Mamdani është adhurues i hip-hopit dhe dikur ka performuar e prodhuar vetë muzikë në atë zhanër.

Ai është tifoz i disa klubeve sportive, përfshirë ekipin e bejzbollit New York Mets, ekipin e futbollit amerikan New York Giants dhe klubin londinez të Arsenalit.

Cilat janë qëndrimet e tij politike?

Image

Pjesërisht falë punës së mëparshme, kur ndihmonte të varfrit të shmangnin dëbimet e detyruara, strehimi i përballueshëm është bërë shtylla kryesore e fushatës së tij.

Në metropolin që ka qiratë më të shtrenjta në botë - ku një apartament mesatar me tre dhoma kushton 8.500 dollarë në muaj (rreth 7.350 euro) - thirrjet për ngrirjen e qirave të banesave me qira të rregulluara, ndërtimin e më shumë banesave të përballueshme dhe kontroll më të rreptë mbi pronarët privatë kanë gjetur miratim te qytetarët.

Anëtarësimi tek grupi amerikan socialisto-demokrat e konfirmoi më tej bindjen e tij ideologjike. Ai propozon një taksë të unifikuar prej 2 për qind mbi të ardhurat mbi një milion dollarë në vit, rritje të taksës mbi fitimin, futjen e transportit publik falas me autobusë, pagë minimale prej 30 dollarësh në orë (në vend të 16,50 që është tani) dhe zgjerimin e kujdesit publik për fëmijët.

“Duhet të flisni në një gjuhë që të gjithë e kuptojnë dhe në të cilën mund të identifikohen”, tha Mamdani për të përjavshmen britanike The New Statesman.

“Dhe duhet të flisni për betejat që njerëzit i përballojnë çdo ditë. Partia Demokratike shpesh flet për demokracinë, por nëse nuk mund të përballoni të jetoni në qytetin që e quani tuajin - nuk keni kohë të shqetësoheni për vlerat”, deklaroi ai.

Pse është i rëndësishëm posti i kryetarit të bashkisë së New Yorkut?

Image

Me pothuajse 8,5 milionë banorë dhe rreth 65 milionë vizitorë në vit, New Yorku është një qendër kulturore dhe financiare globale që përballet me sfida serioze në fushat e strehimit, transportit dhe financave publike.

Kryetari i bashkisë ka në dispozicion një buxhet prej 116 miliardë dollarësh dhe gëzon kompetenca të gjera.

Pas fitores së Mamdanit, përplasjet me Donald Trumpin - i cili është gjithashtu nga New Yorku - pothuajse me siguri do të bëhen një temë e vazhdueshme.

Image

Trump e ka quajtur tashmë “i çmendur komunist” dhe “një katastrofë që mezi pret të ndodhë”.

Mamdani, nga ana tjetër, ka thënë se do të përpiqet të bashkëpunojë me presidentin për të mirën e qytetit, por se nuk do të lejojë të frikësohet.

Duke pasur parasysh se pikëpamjet e tyre politike janë diametralisht të kundërta, marrëdhënia midis presidentit dhe kryetarit të ri të bashkisë së New Yorkut mund të shndërrohen në një tjetër fushëbetejë të politikës amerikane. /Telegrafi