Afrika e Jugut do të hetojë se si 17 shtetas të saj u joshën për të luftuar në Ukrainë
Qeveria e Afrikës së Jugut njoftoi të enjten se ka pranuar thirrje për ndihmë nga 17 qytetarë, të cilët u janë bashkuar forcave mercenare në luftën Rusi-Ukrainë dhe se po punon për t’i kthyer ata në shtëpi.
Sipas komunikatës, ata ishin joshur të merrnin pjesë në luftë me pretekstin e kontratave të punësimit me pagë të majme.
Që të gjithë janë të moshës midis 20 dhe 39 vjeçare dhe kanë mbetur të ngujuar në rajonin e shkatërruar nga lufta në Ukrainë, Donbas.
“Presidenti Cyril Ramaphosa ka urdhëruar hetim mbi rrethanat që çuan në rekrutimin e këtyre të rinjve në këto veprimtari mercenare”, thuhet në komunikatë.
Afrika e Jugut nuk tregoi se për cilën palë luftuese po luftonin shtetasit e vet.
Sipas ligjit të Afrikës së Jugut, qytetarëve u ndalohet ta ndihmojnë ushtarakisht një qeveri të huaj, si dhe u ndalohet të bëhen pjesë e ushtrive të qeverive të huaja, përveç nëse janë të autorizuar nga qeveria e Afrikës së Jugut.
Në gusht, qeveria e Afrikës së Jugut paralajmëroi të rinjtë të kenë kujdes nga ofertat e rrejshme të punës në Rusi ku shihet edhe përmes videos, të cilat qarkullonin në rrjetet sociale, pas raportimeve se disa gra nga Afrika e Jugut ishin mashtruar për të prodhuar dronë. /REL