Filipinet rrezikohen nga tajfuni Fung-wong, reshje masive shiu dhe dallgë deri në 5 metra

Filipinet rrezikohen nga tajfuni Fung-wong, reshje masive shiu dhe dallgë deri në 5 metra

Bota November 08, 2025 - 13:10

Autoritetet meteorologjike të Filipineve kanë lëshuar paralajmërime urgjente për dallgë vdekjeprurëse deri në pesë metra lartësi dhe era shkatërruese, ndërsa tajfuni masiv Fung-wong po i afrohet bregut lindor të vendit dhe pritet të forcohet përpara se të godasë tokën të dielën në mbrëmje.

Sipas shërbimit kombëtar të motit PAGASA, tajfuni — i njohur lokalisht si Uwan — ka një rreze ndikimi prej 1,500 kilometrash, duke sjellë reshje të dendura dhe erëra të forta në pjesën lindore të arkipelagut.

“Ai mund të mbulojë pothuajse të gjithë territorin e vendit,” tha parashikuesi i motit Benison Estareja në një konferencë për shtyp.

Në orët e fundit, Fung-wong ka arritur shpejtësi erërash të qëndrueshme prej 140 km/h dhe furtuna deri në 170 km/h, ndërsa parashikohet që fuqia e tij të rritet deri në 185 km/h në momentin e afrimit me tokën — mjaftueshëm për të shkatërruar banesa, përmbysur pemë dhe rrënuar struktura.

Në provincat lindore, veçanërisht në rajonin Bicol dhe në Samar, pritet deri në 200 milimetra reshje, me rrezik të lartë për përmbytje dhe rrëshqitje dherash, ndërsa në pjesët veriore dhe qendrore të ishullit Luzon reshjet mund të arrijnë deri në 100–200 mm.

PAGASA u ka bërë thirrje banorëve në zonat e ulëta dhe bregdetare që të evakuohen menjëherë drejt vendeve më të larta dhe të ndalojnë çdo aktivitet detar, duke paralajmëruar se dallgët e stuhisë mund të përmbytin komunitete të tëra bregdetare.

Qeveritë lokale kanë pezulluar mësimin për ditën e hënë, ndërsa kompania ajrore kombëtare Philippine Airlines ka anuluar disa fluturime përpara zbarkimit të pritshëm të tajfunit.

Paralajmërimi vjen vetëm pak ditë pas goditjes së tajfunit Kalmaegi, i cili shkaktoi më shumë se 200 viktima në Filipine dhe pesë në Vietnam, duke lënë pas shkatërrim të gjerë, ndërprerje të energjisë dhe zhvendosje masive të banorëve.

Sipas agjencisë së menaxhimit të katastrofave në Vietnam, rreth 2,800 shtëpi u dëmtuan dhe rreth gjysmë milioni persona vazhdojnë të jenë pa energji elektrike. Në Filipine, përmbytjet e mëdha shkatërruan banesa dhe bllokuan rrugët me mbeturina.

Edhe Tajlanda raportoi reshje të dendura dhe përmbytje të lokalizuara për shkak të ndikimit të mbetur të stuhisë Kalmaegi.

Ekspertët e klimës paralajmërojnë se stuhitë si Kalmaegi dhe Fung-ëong po bëhen gjithnjë e më të fuqishme për shkak të ngrohjes globale, ndërsa vendet e Azisë Juglindore — përfshirë Filipinet dhe Vietnamin — mbeten ndër më të ekspozuarat ndaj këtyre fenomeneve ekstreme.  /abcnews