SHBA, dështon nisma e demokratëve për t’i dhënë fund bllokadës qeveritare
Lideri i mazhorancës në Senatin amerikan, John Thune refuzoi menjëherë ofertën e demokratëve për të rihapur qeverinë dhe për të zgjatur me një vit subvencionet në shëndetësi.
Thune e quajti propozimin të dështuar, në një kohë kur ngërçi politik ka bërë që bllokada qeveritare të hyjë në ditën e 38-të.
Lideri demokrat në Senat, Chuck Schumer, e bëri ofertën ditën e premte, por republikanët refuzuan të negocionin kërkesat sa i takonte zgjatjes së subvencioneve në shëndetësi.
Propozimi ishte një version i shkurtuar i atij të bërë muajin e kaluar, për t’i bërë kreditë tatimore shëndetësore të përhershme dhe për të zhbërë shkurtimet në aktin “Medicaid”, që republikanët aplikuan këtë vit në kuadër të aktit “të madh e të bukur” të Presidentit Donald Trump.
Schumer, i ofroi senatorëve republikanë një votim simulant për t’i dhënë fund bllokadës qeveritare, shoqëruar me ngritjen e një komisioni dypartiak për të zgjidhur shqetësimet e republikanëve sa i takon ndryshimeve në Aktin e Kujdesit të Përballueshëm.
“E vetmja gjë që republikanët duhet të bëjnë është të thonë po”, deklaroi Schumer. Por republikanët thanë menjëherë “jo”, duke përsëritur se nuk do të bëjnë koncesione në shëndetësi pa u rihapur qeveria.
“Këto do të negociohen pasi qeveria të ketë rifilluar nga puna. Oferta është vetëm një tregues se demokratët po ndjejnë presionin”, deklaroi Thune.
Ndërkohë, vetë republikanët u takuan të premten, por pa mundur të gjejnë një zgjidhje për situatën e vështirë, që ka paralizuar Shtetet e Bashkuara. /euronews