Trumpi miraton shitjen e avionëve “F-35” për Arabinë Saudite
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i shesin avionë luftarakë ”F-35” Arabisë Saudite, njoftoi presidenti Donald Trump në prag të mbërritjes në Uashington të princit të kurorës Mohammed bin Salman.
“Po planifikoj ta bëj këtë. Ata duan t’i blejnë, kanë qenë një aleat i shkëlqyer”, tha sot Trump në Shtëpinë e Bardhë, kur u pyet për shitjen.
Deri tani, Izraeli ka qenë i vetmi vend në Lindjen e Mesme që ka këtë lloj avioni amerikan.
Princi i kurorës saudite u nis nga Riadi për në Uashington me një delegacion të nivelit të lartë.
Prej ditësh qarkullonin spekulime se sauditët shpresonin të siguronin teknologji të avancuar ushtarake amerikane gjatë vizitës.
Vizita e Mohammed bin Salman shënon udhëtimin e tij të parë në Uashington që nga vrasja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi në vitin 2018, e cila shkaktoi reagime të ashpra ndërkombëtare.
Oborri mbretëror tha në një deklaratë se vizita vjen pas direktivave të mbretit Salman dhe ftesës së presidentit amerikan.
”Princi i kurorës do të takohet me Trumpin për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe dhe mënyrat për t’i forcuar ato në fusha të ndryshme, si edhe çështje me interes të përbashkët”, thuhej në deklaratë./atsh