Mbyllet Shërbimi hungarez i REL-it
Shërbimi hungarez i Radios Evropa e Lirë do të mbyllet mesnatën e 21 nëntorit, pesë vjet pasi rinisi punën për t’iu ofruar hungarezëve informacione të sakta dhe lajme të pavarura.
Në një mesazh për audiencën, shërbimi tha se ekipi i tij ka “punuar me dedikim për të ofruar gazetari të pavarur për audiencat në Hungari”.
Përmbajtja e shërbimit do të vazhdojë të jetë e qasshme online.
“Jemi thellësisht mirënjohës për besimin, angazhimin dhe mbështetjen që na kanë dhënë lexuesit tanë”, u tha në njoftim.
Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Steve Capus, lavdëroi punën e gazetarëve të Shërbimit hungarez.
“Profesionalizmi i tyre, dedikimi dhe kontributi i jashtëzakonshëm për misionin tonë kanë ndikuar në suksesin tonë, dhe ne jemi thellësisht mirënjohës për gjithçka që ata i sollën kësaj organizate”, tha ai.
Shërbimi hungarez rinisi punën më 2020 në bazë të një vendimi të Kongresit amerikan. Para kësaj, ky shërbim kishte operuar nga viti 1950 deri më 1993.
Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Media Globale (USAGM), që mbikëqyr Radion Evropa e Lirë, Zërin e Amerikës dhe transmetues të tjerë ndërkombëtarë amerikanë, e njoftoi Kongresin më 5 nëntor 2025 se synonte ta ndërpriste punën e Shërbimit hungarez të REL-it.
Vendimi hyn në fuqi më 21 nëntor 2025.
“Jemi mirënjohës për vëmendjen e audiencës dhe mbështetjen e tyre që nga dita e parë kur rinisëm punën dhe jemi ndierë të nderuar që t’u sillnim atyre storie origjinale dhe unike”, tha Tibor Vovesz, kreu i Shërbimit hungarez të Radios Evropa e Lirë.