Këto janë 28 pikat e “planit të paqes” së Trumpit për luftën Ukrainë – Rusi
Plani i Donald Trumpit për përfundimin e luftës në Ukrainë do t’i dorëzonte Rusisë pjesë të mëdha të territorit dhe do të kufizonte madhësinë e ushtrisë së Kievit, sipas një drafti të zbuluar.
Kopja e këtij propozimi, që buron nga negociatat mes Washingtonit dhe Moskës, u sigurua nga Associated Press dhe duket qartësisht e favorshme ndaj Rusisë, transmeton Zeri.info.
Ai ngjason ngushtë me listën e kërkesave që Kremlini ka përsëritur që kur nisi pushtimin e plotë të Ukrainës gati katër vjet më parë.
Pikat e përfshira në plan konsiderohen gjerësisht të papranueshme për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili ka refuzuar thirrjet e mëparshme të Trumpit për të bërë koncesione territoriale.
Këtu është draft-marrëveshja e plotë:
Sovraniteti i Ukrainës do të konfirmohet.
Do të nënshkruhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse e mosagresionit mes Rusisë, Ukrainës dhe Evropës. Të gjitha paqartësitë e 30 viteve të fundit do të konsiderohen të zgjidhura.
Parashikohet që Rusia të mos pushtojë vendet fqinje dhe që NATO-ja të mos zgjerohet më tej.
Do të zhvillohet një dialog mes Rusisë dhe NATO-s, i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, për të zgjidhur të gjitha çështjet e sigurisë dhe për të krijuar kushte për de-përshkallëzim, me qëllim garantimin e sigurisë globale dhe rritjen e mundësive për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik në të ardhmen.
Ukraina do të marrë garanci të besueshme sigurie.
Madhësia e Forcave të Armatosura të Ukrainës do të kufizohet në 600,000 personel.
Ukraina pajtohet të përfshijë në kushtetutën e saj që nuk do t’i bashkohet NATO-s, dhe NATO pajtohet të shtojë në statutin e saj një dispozitë që Ukraina nuk do të pranohet në të ardhmen.
NATO pajtohet të mos dislokojë trupa në Ukrainë.
Aeroplanë luftarakë evropianë do të stacionohen në Poloni.
Garancia e SHBA-së:
SHBA-ja do të marrë kompensim për këtë garanci;
Nëse Ukraina pushton Rusinë, ajo do të humbasë garancinë;
Nëse Rusia pushton Ukrainën, përveç një përgjigjeje të vendosur dhe të koordinuar ushtarake, të gjitha sanksionet globale do të rivendosen, njohja e territorit të ri dhe të gjitha përfitimet e tjera të kësaj marrëveshjeje do të revokohen.
Nëse Ukraina lëshon një raketë ndaj Moskës ose Shën Petersburgut pa arsye, garancia e sigurisë do të konsiderohet e pavlefshme.
Ukraina është e kualifikuar për anëtarësim në BE dhe do të marrë qasje të përparuar afatshkurtër në tregun evropian ndërkohë që kjo çështje po shqyrtohet.
Do të krijohet një paketë globale e fuqishme masash për rindërtimin e Ukrainës, duke përfshirë, por jo të kufizuar në:
Krijimin e një Fondi për Zhvillimin e Ukrainës për të investuar në industri me rritje të shpejtë, përfshirë teknologjinë, qendrat e të dhënave dhe inteligjencën artificiale.
Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunojnë me Ukrainën për të rindërtuar, zhvilluar, modernizuar dhe operuar infrastrukturën e gazit të Ukrainës, përfshirë tubacionet dhe depot.
Përpjekje të përbashkëta për rehabilitimin e zonave të prekura nga lufta për rikthimin, rindërtimin dhe modernizimin e qyteteve dhe zonave banimi.
Zhvillim infrastrukture.
Nxjerrja e mineraleve dhe burimeve natyrore.
Banka Botërore do të zhvillojë një paketë financimi speciale për të përshpejtuar këto përpjekje.
Rusia do të riintegruar në ekonominë globale:
Heqja e sanksioneve do të diskutohet dhe vendoset në faza dhe në bazë të rasteve konkrete.
Shtetet e Bashkuara do të nënshkruajnë një marrëveshje afatgjate bashkëpunimi ekonomik për zhvillim të ndërsjellë në fushat e energjisë, burimeve natyrore, infrastrukturës, inteligjencës artificiale, qendrave të të dhënave, projekteve për nxjerrjen e metaleve të rralla në Arktik dhe mundësi të tjera korporative me përfitime të ndërsjella.
Rusia do të ftohet të rikthehet në G8.
Fondet e ngrira do të përdoren si më poshtë:
100 miliardë dollarë (76 miliardë paund) nga asetet e ngrira ruse do të investohen në përpjekje të udhëhequra nga SHBA për rindërtimin dhe investimin në Ukrainë;
SHBA-ja do të marrë 50% të fitimeve nga kjo nismë. Evropa do të shtojë 100 miliardë dollarë (76 miliardë paund) për të rritur shumën e investimeve të disponueshme për rindërtimin e Ukrainës. Fondet e ngrira evropiane do të çlirohen. Pjesa tjetër e fondeve të ngrira ruse do të investohet në një mekanizëm të veçantë investimi SHBA-Rusi, që do të zbatojë projekte të përbashkëta në fusha specifike. Ky fond do të synojë forcimin e marrëdhënieve dhe rritjen e interesave të përbashkëta për të krijuar një nxitje të fortë për të mos u rikthyer në konflikt.
Do të krijohet një grup pune i përbashkët amerikan-rus për çështjet e sigurisë, me qëllim promovimin dhe sigurimin e zbatimit të të gjitha dispozitave të kësaj marrëveshjeje.
Rusia do të përfshijë në ligj politikën e saj të mosagresionit ndaj Evropës dhe Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të bien dakord të zgjerojnë vlefshmërinë e traktateve për mosproliferimin dhe kontrollin e armëve bërthamore, duke përfshirë Traktatin START I.
Ukraina pajtohet të jetë një shtet jo-bërthamor në përputhje me Traktatin për Mosproliferimin e Armëve Bërthamore.
Bërthamorja e Zaporizhzhias do të vihet në funksion nën mbikëqyrjen e IAEA-s, dhe energjia elektrike e prodhuar do të ndahet në mënyrë të barabartë mes Rusisë dhe Ukrainës – 50:50.
Të dy vendet angazhohen të zbatojnë programe arsimore në shkolla dhe shoqëri, të cilat synojnë promovimin e mirëkuptimit dhe tolerancës ndaj kulturave të ndryshme dhe eliminimin e racizmit dhe paragjykimeve:
Ukraina do të adoptojë rregullat e BE-së për tolerancën fetare dhe mbrojtjen e pakicave gjuhësore.
Të dy vendet do të bien dakord të heqin të gjitha masat diskriminuese dhe të garantojnë të drejtat e mediave dhe arsimit ukrainas dhe rus.
Territoret:
Krimea, Luhanska dhe Donetsku do të njihen de fakto si pjesë e Rusisë, duke përfshirë edhe nga Shtetet e Bashkuara.
Khersoni dhe Zaporizhzhia do të “ngrihen” përgjatë vijës së kontaktit, gjë që do të nënkuptojë njohje de facto përgjatë kësaj linje.
Rusia do të heqë dorë nga territoret e tjera të rënë dakord që kontrollon jashtë pesë rajoneve.
Forcat ukrainase do të tërhiqen nga pjesa e Oblastit të Donetskut që aktualisht kontrollojnë, dhe kjo zonë e tërheqjes do të konsiderohet një zonë neutrale dhe demilitarizuar, e njohur ndërkombëtarisht si territor i Federatës Ruse. Forcat ruse nuk do të hyjnë në këtë zonë demilitarizuar.
Pas dakordësisë mbi rregullimet territoriale në të ardhmen, si Federata Ruse ashtu edhe Ukraina angazhohen të mos ndryshojnë këto rregullime me forcë. Çdo garanci sigurie nuk do të zbatohet në rast shkeljeje të këtij angazhimi.
Rusia nuk do të pengojë Ukrainën të përdorë lumin Dnjepr për aktivitetet tregtare, dhe do të arrihen marrëveshje për transportin e lirë të grurit përmes Detit të Zi.
Do të krijohet një komitet humanitar për të zgjidhur çështjet e mbetura:
Të gjithë të mbijetuarit dhe trupat e të vdekurve do të shkëmbehen me bazë “të gjithë për të gjithë”.
Të gjithë të ndaluarit civilë dhe pengjet do të kthehen, duke përfshirë fëmijët.
Do të zbatohet një program për ribashkimin e familjeve.
Do të merren masa për lehtësimin e vuajtjeve të viktimave të konfliktit.
Ukraina do të mbajë zgjedhje brenda 100 ditëve.
Të gjitha palët e përfshira në këtë konflikt do të marrin amnisti të plotë për veprimet e tyre gjatë luftës dhe bien dakord të mos bëjnë asnjë pretendim ose të konsiderojnë ndonjë ankesë në të ardhmen.
Kjo marrëveshje do të jetë ligjërisht e detyrueshme. Zbatimi i saj do të monitorohet dhe garantohet nga Këshilli i Paqes, i udhëhequr nga presidenti Donald J. Trump. Do të vendosen sanksione për shkeljet.
Pasi të gjitha palët bien dakord për këtë memorandum, armëpushimi do të hyjë në fuqi menjëherë pasi të dyja palët të tërhiqen në pikat e dakorduara për të filluar zbatimin e marrëveshjes.