Izraeli rifillon sulmet në Gaza, armëpushimi në pikëpyetje

Izraeli rifillon sulmet në Gaza, armëpushimi në pikëpyetje

Bota November 22, 2025 - 19:10

Izraeli thotë se ka filluar të godasë objektivat e Hamasit në Gaza, duke vrarë të paktën nëntë persona, pas asaj që e quajti një “shkelje flagrante të marrëveshjes së armëpushimit”.

Autoritetet lokale shëndetësore në Gaza thanë se kishte pasur tre sulme ajrore të ndara, njëri prej të cilave goditi një veturë në lagjen e dendur të populluar Rimal, duke vrarë pesë persona dhe duke plagosur disa të tjerë.

Menjëherë pas sulmit ndaj veturës, forcat ajrore izraelite goditën dy objektiva të tjerë në Rripin qendror të Gazës.

Të paktën katër persona vdiqën kur dy shtëpi u goditën me bombë në qytetin Deir Al-Balah dhe në kampin Nuseirat.

Ushtria izraelite tha se kishte pasur një “shkelje flagrante të marrëveshjes së armëpushimit”.

Ajo pretendoi se një person i armatosur kishte kaluar në territorin e mbajtur nga Izraeli pasi kishte shfrytëzuar “rrugën humanitare në zonën përmes së cilës ndihma hyn në Gazën jugore”.

Një zyrtar i Hamasit i hodhi poshtë akuzat e ushtrisë izraelite si të pabaza, duke i quajtur ato një “justifikim për të vrarë”, duke shtuar se grupi palestinez ishte i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit.

Ndryshe, sulmet ajrore izraelite janë një provë e mëtejshme e një armëpushimi të brishtë me Hamasin, i cili ka qenë në fuqi që nga 10 tetori pas luftës dyvjeçare në Gaza.

Izraeli tërhoqi trupat e tij dhe fluksi i ndihmave në territor është rritur. Por dhuna nuk është ndalur plotësisht.

Autoritetet shëndetësore palestineze thonë se forcat izraelite kanë vrarë 316 persona në sulmet në Gaza që nga armëpushimi.

Ndërkohë, Izraeli thotë se tre ushtarë të tij janë vrarë që nga fillimi i armëpushimit dhe ka sulmuar dhjetëra militantë.