Italia njeh femicidin si vepër penale, parashikon dënim me burg
Parlamenti italian miratoi të martën ligjin që e parashikon femicidin si vepër penale dhe e dënon me burg. Votimi i së martës rastisi me ditën ndërkombëtare të eliminimit të dhunës ndaj grave. Ligji u përkrah nga të dyja partitë në Dhomën e Ulët, mazhoranca e qendrës së djathtë dhe opozita e qendrës së majtë, të cilat e miratuan me 237 vota pro.
Ligji u mbështet nga kryeministrja Georgia Meloni dhe vjen si reagim ndaj një serie vrasjesh e episodesh dhune nda grave në Itali. Në të përfshihen masa më të forta kundër krimeve me bazë gjinore si përndjekja dhe pornografia për motive hakmarrjeje.
Rastet me vëmendje të lartë si vrasja e studentes Giulia Cecchettin në vitin 2023 kanë qenë thelbësore në protestat dhe debatin publik rreth shkaqeve të dhunës kundër grave në Itali.
Opozita e mbështeti ligjin në parlament, por theksoi se qasja e qeverisë merret vetëm me aspektin kriminal të problemin duke lënë mënjanë ndarjet kulturore dhe ekonomike.
Istat, agjencia e statistikave në Itali, regjistroi 106 raste femicide në 2024, 62 prej tyre prej partnerëve aktualë ose të mëparshëm.
Në Itali, debati për futjen e edukimit seksual dhe emocional në shkolla për të parandaluar dhunën me bazë gjinore ka përshkallëzuar. Një ligj i propozuar nga qeveria parandalon edukimin seksual dhe emocional për arsimin fillor dhe kërkon leje të qartë nga prindi për gjimnazistët.
Koalicioni qeverisës i ka dalë në mbrojtje kësaj mase si mënyrë për të mbrojtur fëmijët nga aktivizmi ideologjik, kurse partitë opozitare dhe aktivistët e kanë quajtur “mesjetare”.