Britania dhe Norvegjia lidhin aleancë kundër nëndetëseve ruse në Atlantikun e Veriu

Britania dhe Norvegjia lidhin aleancë kundër nëndetëseve ruse në Atlantikun e Veriu

Bota December 04, 2025 - 19:17

Britania e Madhe dhe Norvegjia kanë nënshkruar një marrëveshje historike të mbrojtjes, e cila parashikon operimin e një flote të përbashkët për të gjurmuar nëndetëset ruse në Atlantikun e Veriut.

Pakti synon mbrojtjen e kabllove nënujore dhe tubacioneve të energjisë, të cilat zyrtarët britanikë i konsiderojnë gjithnjë e më të rrezikuara nga aktivitetet e Moskës.

Sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes, gjatë dy viteve të fundit është shënuar një rritje prej 30% e mjeteve detare ruse të vërejtura në ujërat britanike.

Marrëveshja, e njohur si “Lunna House”, mbështetet nga një kontratë prej 10 miliardë paundësh për ndërtimin e anijeve luftarake mes dy vendeve, e nënshkruar në shtator. Flota e përbashkët do të përfshijë të paktën 13 anije anti-nëndetëse, pesë prej të cilave norvegjeze, që do të patrullojnë zonën mes Groenlandës, Islandës dhe Britanisë.

Kryeministri britanik Keir Starmer e cilësoi marrëveshjen si “historike”, duke theksuar se forcon aftësinë e vendit për të mbrojtur infrastrukturën kritike. Ndërkohë, homologu i tij norvegjez Jonas Støre vizitoi bazën RAF Lossiemouth në Skoci, ku dy liderët u informuan nga ekuipazhet e patrullës detare për lëvizjet e mjeteve ruse, përfshirë anijen spiune Yantar.

Marrëveshja parashikon gjithashtu: Stërvitje të përbashkëta luftarake dhe përdorimin e armëve nënujore britanike Sting Ray, trajnimin e Marinsave Mbretërorë në Norvegji për luftë në kushte ekstreme, zhvillimin e sistemeve pa ekuipazh për gjuajtjen e minave dhe luftën nënujore, si dhe përdorimin nga Marina Mbretërore të raketave norvegjeze Naval Strike Missiles, me rreze mbi 160 km.

Ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey, deklaroi se “në këtë epokë të re kërcënimesh, forca vjen nga fuqia e fortë dhe aleancat e forta.”

Ekspertët paralajmërojnë se sulmet ndaj infrastrukturës nënujore mund të shkaktojnë ndërprerje katastrofike në sistemet financiare dhe të komunikimit, duke e bërë këtë aleancë një hap të rëndësishëm për sigurinë e rajonit. /abcnews