Bie qeveria bullgare, pas javësh protestash masive
Kryeministri i Bullgarisë, Rosen Zhelyazkov, ka paraqitur dorëheqjen e qeverisë së tij të enjten, pas disa javësh protestash në rrugë kundër politikave ekonomike dhe dështimit të perceptuar për të luftuar korrupsionin.
Zhelyazkov e bëri të ditur vendimin në një deklaratë të transmetuar drejtpërdrejt, vetëm pak minuta para se parlamenti të votonte mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, raporton Reuters.
Dorëheqja vjen në prag të anëtarësimit të Bullgarisë në eurozonë më 1 janar.
“Koalicioni ynë u mblodh dhe diskutuam situatën aktuale, sfidat dhe vendimet që duhet t’i marrim me përgjegjësi”, tha Zhelyazkov. “Dëshira jonë është të jemi në nivelin që shoqëria pret. Pushteti buron nga zëri i popullit”.
Të mërkurën mbrëma, mijëra qytetarë dolën në protesta në Sofje dhe dhjetëra qytete të tjera, në vazhdën e demonstratave që kanë nxjerrë në pah pakënaqësinë e thellë ndaj korrupsionit endemik dhe dështimit të qeverive të njëpasnjëshme për ta luftuar atë.
Javën e kaluar, qeveria e Zhelyazkov tërhoqi planin e buxhetit për vitin 2026, të parin e hartuar në euro, për shkak të protestave. Opozita dhe organizata të ndryshme kundërshtuan planet për rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe taksave mbi dividendët, të cilat ishin paraparë për të mbuluar rritjen e shpenzimeve shtetërore.
Megjithatë, edhe pas tërheqjes së qeverisë nga plani buxhetor, protestat nuk janë ndalur, në një vend që ka mbajtur shtatë zgjedhje parlamentare në katër vitet e fundit, më së fundi në tetor 2024, në një klimë të thellë përçarjesh politike dhe shoqërore.
Këtë javë, edhe presidenti Rumen Radev kërkoi dorëheqjen e qeverisë. Në një mesazh drejtuar deputetëve, ai shkroi: “Mes zërit të popullit dhe frikës nga mafia. Dëgjoni sheshet!”.
Sipas kushtetutës bullgare, presidenti Radev ka kompetenca të kufizuara, por tani do t’u kërkojë partive parlamentare të tentojnë formimin e një qeverie të re. Nëse, siç pritet, dështojnë, ai do të emërojë një administratë të përkohshme që do të drejtojë vendin deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.