Gjermani, popullsia po plaket me ritme të shpejta

Gjermani, popullsia po plaket me ritme të shpejta

Bota December 12, 2025 - 13:18

Numri i pensionistëve në Gjermani do të rritet me të paktën 3.8 milionë, duke arritur në 20.5 milionë deri në vitin 2038 dhe do të përbëjnë mbi 27 për qind të popullsisë së përgjithshme, sipas zyrës statistikore Destatis.

Raporti i fundit tregon se një në katër persona në Gjermani do të jetë 67-vjeç ose më i vjetër brenda 10 vitesh. Pensionistët në Gjermani aktualisht përbëjnë 20 për qind të popullsisë. Rënia e numrit të popullsisë në moshë pune pritet të paraqesë sfida të mëdha për sistemet e sigurimeve shoqërore.

Destatis pret që popullsia e Gjermanisë të jetë më e ulët se shifra e sotme deri në vitin 2070, duke arritur në 74.7 milionë. Vlerësimi merr parasysh rritjen e moderuar të shkallës së lindjeve, jetëgjatësisë dhe migrimit neto.

Vetëm dy nga rreth 27 skenarë parashikimi presin rritje të lehtë të popullsisë bazuar në migrimin e lartë neto dhe një shkallë lindjeje dukshëm më të lartë. Popullsia e parashikuar për Gjermaninë varion nga 63.9-86.5 milionë në vitin 2070.

Në vitin 2022, Destatis priste që shifra e popullsisë të varionte nga 70.2-94.4 milionë për vitin 2070.

Popullsia në moshë pune (mosha 20-66 vjeç) do të bie nga mesi i viteve 2030 e tutje me daljen në pension të personave të lindur në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe mbërritjen e brezave të rinj. Ky boshllëk nuk do të mbyllet nga fitimet e parashikuara neto të migracionit.

“Në Gjermani, tashmë ka 33 persona në moshë pensioni për çdo 100 persona në moshë pune. Në vitin 2070, kjo do të jetë rritur në 43 persona në moshë pensioni në skenarin më të mirë”, tha Karsten Lummer, kreu i Departamentit për popullsinë në Destatis.

“Në rastin më të keq, me një shkallë lindjeje vazhdimisht të ulët dhe imigracion neto të ulët, raporti i varësisë së të moshuarve mund të jetë deri në 61 dhe për këtë arsye pothuajse dyfishi i normës që është sot”, shtoi ai.

Ndërkohë, popullsia gjermane u rrit me 0.1 për qind në 83.6 milionë vitin e kaluar, e udhëhequr nga emigracioni. Migrimi neto ra në 420 mijë njerëz vitin e kaluar, duke rënë nga 660 mijë në vitin 2023.

Vitin e kaluar vdiqën më shumë njerëz sesa lindën. Numri i vdekjeve arriti në 330, duke tejkaluar atë lindjeve. Po ashtu vitin e kaluar, rreth 25.5 milionë njerëz ishin të moshës 60-vjeç e lart, duke përbërë 30.5 për qind të popullsisë totale.