“Trumpi nuk dëshiron ta shohë më Vuçiqin me sy” – analisti serb shpjegon arsyet
Vendimi i kompanisë së dhëndrit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t'u tërhequr nga projekti luksoz është më shumë se provë e qartë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq i ka shpërdoruar të gjitha shanset e tij me Uashingtonin.
Kështu së paku vlerëson analisti i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, shkruajnë mediat serbe.
Madje Jakshiqi beson se në fund të fundit “Trumpi nuk dëshiron ta shohë më Vuçiqin me sy”.
Në këtë drejtim, ai thekson se një tjetër përpjekje e Vuçiqit për të riparuar marrëdhëniet e dëmtuara me Uashingtonin dështoi.
Për Jakshiqin, shpjegimi me të cilin kompania e dhëndrit të Donald Trump e braktisi projektin është jashtëzakonisht i rëndësishëm.
Kujtojmë se njoftimi për tërheqjen e kompanisë së Kushnerit u publikua më 15 dhjetor - në ditën kur Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi ngriti aktakuzë ndaj ministrit serb të Kulturës, Nikolla Sellakoviq, për shkelje ligjore gjatë heqjes së statusit të monumentit kulturor ndaj ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm.
Dhe në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, kompania investuese “Affinity Partners” tha se “vizioni ynë për projektin në Beograd ishte të ofronim një dizajn elegant dhe frymëzues, që pasqyronte përparimin e Serbisë”.
“Jemi krenarë për arkitekturën që ka krijuar ekipi ynë. Sepse, projektet me kuptim duhet të bashkojnë, jo të ndajnë, dhe nga respekti për popullin e Serbisë dhe për qytetin e Beogradit, ne po e tërheqim aplikimin tonë dhe po e bëjmë një hap pas në këtë moment”, thuhej në deklaratë.
Dhe Jakshiqi nuk ka dyshime se ky mesazh i dërguar nga ana tjetër e Atlantikut përputhet në mënyrë të përkryer me rrjedhat e marrëdhënieve amerikano-serbe në kohët e fundit.
Ai kujton se ata ishin më shumë se të shqetësuar nga sjellja e Vuçiqit në maj të këtij viti, kur ai u përpoq të hynte në konventën republikane në Florida.
"Familja Trump, NIS-i dhe KE-ja” - Vuçiqi mori tri goditje të fuqishme brenda një muaji e gjysmë
Për të kujtuar, presidenti i Serbisë shkoi për një vizitë në SHBA pranverën e kaluar, nga e cila u kthye pa planifikuar pas dy ditësh, dhe siç u njoftua në atë kohë, për arsye shëndetësore.
Sipas raporteve jozyrtare të medias, Vuçiqi priste të takohej me Trumpin në takimin e republikanëve në Florida, por kjo nuk ndodhi.
"Përshtypja ime është se Donald Trump nuk dëshiron më ta shohë Aleksandar Vuçiçin me sy. Duket se Vuçiqi i ka shpërdoruar shanset e tij me Trumpin, ashtu siç i shpërdoroi ato me Moskën dhe Bashkimin Evropian", thekson Jakshiqi.
Ai paralajmëron gjithashtu se amerikanët nuk e falin faktin që Vuçiqi u përpoq t'i përfshijë ata në aferat e tij të brendshme të korrupsionit.
Andaj, sipas mendimit të tij, Vuçiqi praktikisht ia mbylli derën vetes me Donald Trumpin.
Duke komentuar se si ky episod i fundit në marrëdhëniet serbo-amerikane mund të reflektojë në historinë e sanksioneve amerikane kundër Industrisë Serbe të Naftës, Jakshiqi thekson se kjo është vetëm një vazhdim i serisë së aferave që Vuçiqi bëri në marrëdhëniet me amerikanët.
Në vendin ku gjendeshin ndërtesat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, të shkatërruara gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999, kompania investuese “Affinity Partners” kishte planifikuar një kompleks banimi dhe biznesi me markën Trump.
E Vuçiqi tha se për shkak të “gjuetisë së shtrigave” që u bë ndaj investitorit dhe ndërtimit, Serbia humbi një investim të vlefshëm prej së paku 750 milionë eurosh.
Ai fajësoi Prokurorinë dhe “bllokuesit” - siç i quan ai protestuesit antiqeveritarë që protestojnë për më shumë se një vit kundër Qeverisë së udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe.
“Personalisht, do të kujdesem që të gjithë ata që kanë kontribuuar në shkaktimin e këtij dëmi, të përgjigjen”, tha presidenti serb.
Ai paralajmëroi se do të “paraqesë personalisht kallëzime penale” kundër “të gjithë atyre që morën pjesë në ‘gjuetinë e shtrigave’ dhe shkatërrimin e investimit”, duke i akuzuar për “dëm ekonomik ndaj Serbisë”.
Ai i hodhi poshtë akuzat për korrupsion në këtë projekt. /Telegrafi