Trumpi nuk e përjashton: Lufta me Venezuelën është e mundur
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se mundësia e një lufte me Venezuelën është në tryezë.
Deklaratën Trumpi e dha në një interviste për NBC News. “Nuk e përjashtoj, jo”, tha ai.
Trumpi shtoi se do të ketë sekuestrime të tjera të cisternave të naftës pranë ujërave të Venezuelës. Javën e kaluar, SHBA-ja sekuestroi një cisternë të sanksionuar jashtë brigjeve të Venezuelës.
“Nëse janë aq të pamend sa të lundrojnë përreth, atëherë do të lundrojnë drejt një prej porteve tona”, tha ai.
Të martën, Trumpi urdhëroi një “bllokadë” të të gjitha cisternave të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela, në lëvizjen më të fundit të Uashingtonit për të rritur presionin ndaj qeverisë së Nicolás Maduro-s, duke synuar burimin kryesor të të ardhurave të saj. Pas kësaj, qeveria e Venezuelës tha se e refuzon “kërcënimin grotesk” të Trumpit.