Erdogan: Nuk kemi ambicie për territorin e askujt por, jo të shkelemi ne
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dorëzoi sot zyrtarisht në shërbim të marinës turke një nëndetëse të re, një mjet zbarkimi dhe një mjet detar pa pilot, duke theksuar se Ankaraja synon mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të saj, por jo përshkallëzimin e tensioneve.
“Nuk kemi asnjë synim ndaj territoreve apo sovranitetit të askujt. Nuk duam tension me asnjë vend. Nuk duam kriza, përplasje apo konflikte. Nuk dëshirojmë asgjë tjetër përveç paqes dhe stabilitetit për fqinjët tanë”, deklaroi Erdogan gjatë ceremonisë.
Ai nënvizoi se Turqia është një vend që “nuk lejon dhe nuk do të lejojë kurrë shkeljen të të drejtave dhe interesave të saj”, duke shtuar se investimet aktuale në mbrojtje nuk bëhen për përgatitje lufte, por për ruajtjen e paqes, pavarësisë dhe të ardhmes së vendit, shkruan Euronews.al.
Duke iu referuar aftësive operacionale të mjeteve të reja, Erdogan theksoi se “arma më e rëndësishme është nëndetësja TCG Hëzërreis, e cila, falë sistemit të saj të shtytjes anaerobe dhe kapaciteteve të avancuara, do të jetë rojtari kombëtar i thellësive të heshtura”. Sot, sipas tij, kjo nëndetëse vihet zyrtarisht në shërbim.
Po ashtu, në përdorim u vendos edhe mjeti i ri i tipit zbarkues Ç-159, i cili do të operojë në ujëra të trazuar si në operacione ushtarake, ashtu edhe në misione humanitare në kohë paqeje.
Presidenti turk veçoi gjithashtu mjetin detar të armatosur pa pilot ULAQ, duke e cilësuar si një tjetër burim krenarie.
“ULAQ është simbol i transformimit dixhital dhe i sistemeve autonome të bazuara në inteligjencën artificiale në det. Ai është pararendës i së ardhmes në fushën operacionale”, u shpreh Erdogan.