Zelensky thotë se takimi me Trumpin prodhoi “rezultate të rëndësishme”

Zelensky thotë se takimi me Trumpin prodhoi “rezultate të rëndësishme”

Bota December 29, 2025 - 08:55

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se takimi me presidentin amerikan Donald Trump në Mar-a-Lago ka prodhuar “rezultate të rëndësishme”.

Në një postim në Telegram, ai ripërsëriti falënderimet për Trumpin dhe bëri të ditur përparimet e arritura gjatë konferencës së përbashkët për media.

“Patëm një diskutim të thellë mbi të gjitha çështjet dhe vlerësojmë shumë përparimin e bërë nga ekipet ukrainase dhe amerikane gjatë javëve të fundit”, shkroi Zelensky.

Ai tha se u diskutuan të gjitha aspektet e kuadrit për paqen dhe u arritën rezultate të rëndësishme, duke përfshirë përcaktimin e hapave të mëtejshëm.

Zelensky theksoi se garancitë e sigurisë mbeten çelësi për arritjen e një paqeje të qëndrueshme, dhe ekipet do të vazhdojnë të punojnë për të gjitha detajet.

Ai shtoi se ekipet e Ukrainës dhe SHBA-së do të takohen sërish javën e ardhshme për të finalizuar të gjitha çështjet e diskutuar, ndërsa Trumpi ka pranuar gjithashtu të presë liderë ukrainas dhe evropianë në Uashington gjatë janarit. /dukagjini