Maduro u arrestua dhe do të gjykohet në SHBA
Foto: Reuters

Maduro u arrestua dhe do të gjykohet në SHBA

Bota January 03, 2026 - 11:52
Lajm i përditësuar

Kapja e Maduros nga SHBA, reagon Rusia: Akt agresioni, meriton dënim

Këtë mëngjes, SHBA-të kryen një akt agresioni të armatosur kundër Venezuelës. Ky zhvillim shkakton shqetësim të thellë dhe meriton dënim, ka deklaruar Ministria e Jashtme e Rusisë në një deklaratë të lëshuar për ngjarjet e sotme në Venezuelë.

“Pretekstet e përdorura për të justifikuar këto veprime janë të paqëndrueshme. Armiqësia e ideologjizuar ka mbizotëruar ndaj angazhimit pragmatik, si edhe ndaj çdo gatishmërie për të ndërtuar marrëdhënie të bazuara në besim dhe parashikueshmëri”, thuhet në reagimin e Rusisë.

Venezuela është aleati më i rëndësishëm tregtar dhe ushtarak i Rusisë në Amerikën Latine.

Rusia tha se në këtë situatë është “thelbësore” që të parandalohet “përshkallëzimi i mëtejshëm” dhe shtoi: “të përqendrohemi në gjetjen e një zgjidhjeje përmes dialogut”.

“Ne nisemi nga mirëkuptimi se të gjitha palët që mund të kenë ankesa kundër njëra-tjetrës duhet të kërkojnë zgjidhje përmes mekanizmave të bazuar në dialog. Ne jemi të gatshëm të mbështesim përpjekje të tilla. Amerika Latine duhet të mbetet një zonë paqeje, siç e shpalli veten në vitin 2014. Venezuelës duhet t’i garantohet e drejta për të përcaktuar fatin e saj, e lirë nga çdo ndërhyrje e jashtme shkatërruese – e lëre më ushtarake”.

Rusia tha se solidarizohet me “popullin venezuelian dhe mbështetjen tonë për kursin e ndjekur nga udhëheqja e saj bolivariane, që synon mbrojtjen e interesave dhe sovranitetit kombëtar të vendit”.

“Ne mbështesim deklaratat e autoriteteve venezueliane dhe të udhëheqësve të vendeve të Amerikës Latine që kërkojnë thirrjen urgjente të një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Rusia tha se ambasada e saj në Karakas po vepron normalisht, duke marrë parasysh situatën në terren, dhe mban kontakt të vazhdueshëm me autoritetet venezueliane, si dhe me shtetasit rusë të pranishëm në Venezuelë.

“Aktualisht, nuk ka informacione që tregojnë se ndonjë qytetar i Federatës Ruse është plagosur”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë sot se SHBA-ja ka kryer sulme kundër Venezuelës dhe e ka kapur udhëheqësin e saj, presidentin Nicolas Maduro, si dhe bashkëshorten e tij.

Reali e gjen zëvendësuesin e Carvajalit, konkurrenti i Trentit mund të vijë nga Premierliga
Read more

SHBA-të arrestuan presidentin venezuelian Nicolas Maduro për t'u gjykuar në SHBA, sipas një senatori republikan i cili thotë se ka folur me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio.

“Ai më informoi se Nicolás Maduro është arrestuar nga personeli amerikan për t’u gjykuar për akuza penale në Shtetet e Bashkuara dhe se veprimi që pamë sonte u ndërmor për të mbrojtur ata që ekzekutojnë urdhrin e arrestit”, shkroi senatori i Utah, Mike Lee.

“Ky veprim ka të ngjarë të bie brenda autoritetit të lindur të presidentit sipas Nenit II të Kushtetutës për të mbrojtur personelin amerikan nga një sulm aktual ose i afërt”, shtoi Lee.

Më herët të shtunën në mëngjes, Lee kishte ngritur shqetësime në lidhje me sulmin.

“Pres me padurim të mësoj se çfarë, nëse ka ndonjë gjë, mund ta justifikojë kushtetutshëm këtë veprim në mungesë të një deklarate lufte ose autorizimi për përdorimin e forcës ushtarake.”

Ndryshe, Ministri i Mbrojtjes i Venezuelës ka njoftuar një vendosje të menjëhershme të forcave ushtarake në të gjithë vendin. /Telegrafi/

Ushtria e Venezuelës në gatishmëri: Na sulmuan por nuk do të na nënshtrojnë

Image

Ministri i Mbrojtjes i Venezuelës ka njoftuar një vendosje të menjëhershme të forcave ushtarake në të gjithë vendin.

Duke folur në spanjisht në një video-adresim, Vladimir Padrino Lopez bëri thirrje për një front të bashkuar rezistence përballë "agresionit më të keq" ndonjëherë kundër Venezuelës, duke shtuar se Venezuela po ndiqte "urdhrat e Maduros" që të gjitha forcat e armatosura të dislokohen.

"Na kanë sulmuar, por nuk do të na nënshtrojnë", tha ai.

Ndryshe, presidenti venezuelian Nicolas Maduro u kap nga Delta Force e ushtrisë amerikane.

Delta Force është njësia kryesore kundër terrorizmit e ushtrisë amerikane.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-të kanë kryer “sulme në shkallë të gjerë kundër Venezuelës” dhe kanë kapur udhëheqësin e saj, presidentin Nicolas Maduro dhe gruan e tij. /Telegrafi/

“Ishte një operacion i shkëlqyer”, thotë Trumpi pas kapjes së Maduros

Image

Presidenti i SHBA-së, e ka cilësuar si “operacion të shkëlqyer”, sulmin amerikan në Venezuela.

Ai i tha gazetës Neë Your Times, në një intervistë telefonike, se operacioni ishte "shumë planifikim i mirë dhe shumë trupa të shkëlqyera dhe njerëz të shkëlqyer”, transmeton Zeri.info.

Kur u pyet nëse kërkonte miratim nga Kongresi për operacionet, ose çfarë do të ndodhë më pas me Venezuelën, Trump tha se do t'i përgjigjej këtyre pyetjeve gjatë një konference për shtyp në Mar-A-Lago, e cila pritet të mbahet pas disa orësh. /Zëri

Trumpi konfirmon se SHBA-ja ka sulmuar Venezuelën: Maduro është kapur

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të shtunën se SHBA-ja ka kryer sulme kundër Venezuelës dhe e ka kapur udhëheqësin e saj, presidentin Nicolas Maduro, si dhe bashkëshorten e tij.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, presidentit Nicolas Maduro, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij, është kapur dhe është nxjerrë me avion jashtë vendit”, shkroi Trump në rrjetet sociale.

Kryeqyteti Karakas u trondit nga disa shpërthime mëngjesin e hershëm, të cilat ndodhën pas kërcënimeve të vazhdueshme nga presidenti amerikan, Donald Trump, kundër presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro.

Qeveria venezuelase theksoi se sulme kanë ndodhur edhe në shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira, duke e shtyrë Maduron të shpallë gjendje të jashtëzakonshme kombëtare dhe t’i mobilizojë forcat e mbrojtjes.

Shpërthime, avionë dhe tym i zi u panë në të gjithë Karakasin duke filluar rreth orës 2:00 të mëngjesit për afërsisht 90 minuta, sipas dëshmitarëve dhe pamjeve që qarkullonin në rrjetet sociale, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Në pjesën jugore të qytetit, ku ndodhet një baze e madhe ushtarake, pati ndërprerje të rrymës, thanë dëshmitarët.

Trumpi është zotuar vazhdimisht se do të kryente operacione tokësore në Venezuelë, e cila është prodhuese e naftës në Amerikën e Jugut, dhe e cila udhëhiqet nga Maduro që nga viti 2013.

Shtetet e Bashkuara, opozita venezuelase dhe disa vende të tjera thonë se Maduro i manipuloi zgjedhjet vitin e kaluar për të qëndruar në pushtet.

Trump nuk i ka treguar në hollësi qëllimet e tij, por, sipas Reutersit, ai ka ushtruar privatisht trysni ndaj Maduros që të largohet nga vendi.

Të hënën, Trump tha se do të ishte “mençuri” për Maduron që të largohet nga pushteti.

Shtëpia e Bardhë nuk deshi të komentojë për sulmet në Venezuelë pas pyetjeve nga Reuters.

Qeveria venezuelase, në deklaratën e saj, tha se qëllimi i sulmit ishte që Shtetet e Bashkuara “t’i marrin në zotërim naftën dhe mineralet e vendit”.

Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara “nuk do të arrijnë” ti marrin këto burime.

SHBA-ja ka bërë një grumbullim të madh ushtarak në rajon, përfshirë një aeroplanmbajtëse, anije luftarake dhe avionë të avancuar luftarakë, të vendosur në Karaibe.

Trumpi i ka zgjeruar sanksionet kundër Qeverisë së udhëhequr nga Maduro dhe ka kryer më shumë se dy duzina sulmesh ndaj anijeve që SHBA-ja pretendon se ishin të përfshira në trafikimin me drogë në Oqeanin Paqësor dhe në Detin e Karaibeve.

Javën e kaluar, Trump tha se Shtetet e Bashkuara kishin goditur një zonë në Venezuelë ku ngarkohen anije me drogë. Kjo ishte hera e parë që dihet se Uashingtoni ka kryer operacione tokësore në Venezuelë që nga fillimi i fushatës së presionit.

Ai nuk tha nëse këto sulme u kryen nga CIA apo jo. Media të tjera kanë raportuar se agjencia e spiunazhit ishte përgjegjëse.

Trumpi e ka akuzuar Venezuelën se po e mbush SHBA-në me drogë, dhe administrata e tij prej muajsh ka bombarduar anije që vijnë nga Amerika e Jugut, të cilat pretendon se transportonin drogë. Shumë vende i kanë dënuar këto sulme si vrasje jashtëgjyqësore, ndërsa Qeveria e Maduros e ka mohuar gjithmonë çdo përfshirje në trafikim me drogë. /REL