Agjenti i emigracionit (ICE) vret një grua në Minneapolis, kryebashkiaku: Akt i pamatur, largohuni nga qyteti

Agjenti i emigracionit (ICE) vret një grua në Minneapolis, kryebashkiaku: Akt i pamatur, largohuni nga qyteti

Bota January 08, 2026 - 09:20

Një operacion i diskutueshëm i administratës federale kundër emigracionit ka përfunduar tragjikisht mbrëmjen e së mërkurës në Minneapolis, duke shkaktuar trazira civile dhe një luftë të hapur verbale mes Uashingtonit dhe autoriteteve lokale.

Një oficer i Zbatimit të Rregullave të Imigracionit dhe Doganave (ICE) qëlloi për vdekje një grua që drejtonte një automjet tip SUV, gjatë një ndalimi në rrugë. Ngjarja shënon viktimën e pestë në operacionet e fundit të administratës Trump në qytetet e mëdha amerikane, duke e çuar tensionin në nivele kritike.

Videot e publikuara nga dëshmitarët në vendngjarje tregojnë një skenë kaotike. Një oficer i ICE shihet duke tentuar të hapë derën e shoferit të një mjeti të ndaluar. Kur drejtuesja e mjetit tenton të largohet, një agjent i dytë që qëndronte përpara makinës hap zjarr, duke qëlluar të paktën dy herë.

Automjeti godet oficerin – duke e rrëzuar atë prapa, por pa i shkaktuar dëmtime të rënda – dhe më pas përplaset me makina të tjera të parkuara. Gruaja, identiteti i së cilës ende nuk është bërë publik, ndërroi jetë nga plagët e marra.

Washingtoni vs. Minneapolis, dy versione të kundërta

Ngjarja ka shkaktuar një përplasje të menjëhershme mes niveleve të qeverisjes.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e cilësoi ngjarjen si një akt “terrorizmi të brendshëm”. Ajo pretendoi se gruaja e ktheu automjetin në një armë për të shtypur oficerët dhe se agjenti veproi në vetëmbrojtje.

Kryebashkiaku i Minneapolis, Jacob Frey, e hodhi poshtë kategorikisht këtë version, duke e quajtur “mbeturinë”.

Ai e cilësoi veprimin e agjentit si “të pamatur” dhe akuzoi forcat federale se nuk po sjellin siguri, por “kaos dhe mosbesim”. Frey ka kërkuar zyrtarisht largimin e menjëhershëm të ICE nga qyteti.

Edhe Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, reagoi ashpër në platformën “X”, duke i quajtur deklaratat e Sigurisë Kombëtare “makineri propagande” dhe premtoi një hetim të pavarur shtetëror për të vënë drejtësi.

Konteksti i tensionuar

Të shtënat ndodhën në një lagje në jug të qendrës së qytetit, vetëm pak minuta larg vendit ku u vra George Floyd në vitin 2020, një detaj që ka rindezur traumat e vjetra të komunitetit.

Qyteti është aktualisht nën “rrethimin” e mbi 2,000 agjentëve federalë të dërguar si pjesë e goditjes masive ndaj emigracionit të paligjshëm. Menjëherë pas vrasjes, turma protestuesish u mblodhën në vendngjarje duke thirrur “Turp!” dhe duke kërkuar largimin e agjentëve federalë.

Organizatat për të drejtat e emigrantëve kanë qenë në gatishmëri prej muajsh, duke organizuar rrjete monitorimi për të lajmëruar komunitetin mbi praninë e forcave federale, ndërsa situata në “Qytetet Binjake” (Minneapolis dhe St. Paul) mbetet shpërthyese./rtsh