SHBA-ja ftohet të marrë pjesë në manovrat ushtarake në Grenlandë
Shtetet e Bashkuara janë ftuar të marrin pjesë në manovrat ushtarake në Grenlandë, tha kreu i Komandës Daneze të Arktikut duke specifikuar se këto manovra lidheshin me Rusinë.
“Sigurisht, Shtetet e Bashkuara, si anëtare e NATO-s, janë të ftuara këtu”, tha gjenerali Soren Andersen gjatë një interviste me gazetarët në një anije të marinës daneze, e ankoruar në portin e Nuuk, kryeqytet i Groenlandës.
Oficeri danez tha se kishte folur po atë ditë me aleatët e NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara, dhe i kishte ftuar ata të “vijnë këtu”.
Ai i bëri këto komente ndërsa disa vende evropiane të NATO-s, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, por jo Shtetet e Bashkuara, dërguan disa dhjetëra ushtarë në Grenlandë për të përgatitur forcat e tyre të armatosura për manovrat e ardhshme në Arktik.
Shumë ekspertë e shohin këtë si një sinjal strategjik për Uashingtonin.
Shtëpia e Bardhë ka pohuar se ky vendosje trupash nuk do të ketë “asnjë ndikim” në objektivin e Donald Trump për “blerjen” e Grenlandës.
“Për mua, kjo lidhet me Rusinë. Ka të bëjë me atë që po ndodh në Ukrainë”, tha gjenerali danez në lidhje me manovrat.
“Ne shohim se si Rusia po e zhvillon luftën në Ukrainë dhe kur lufta në Ukrainë të mbarojë – shpresojmë me një rezultat të favorshëm për Ukrainën – ne besojmë se Rusia do t’i rishpërndajë burimet që po përdor aktualisht në Ukrainë në zona të tjera operacionesh, përfshirë Arktikun”, shtoi ai.
Donald Trump këmbëngul se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Groenlandën për sigurinë e tyre kombëtare dhe për të frenuar përparimet e Rusisë dhe Kinës në Arktik. /abcnews