Dosje dhe dëshmi, si lidhet Vuçiqi me krimet e luftës në Sarajevë?

Dosje dhe dëshmi, si lidhet Vuçiqi me krimet e luftës në Sarajevë?

Bota January 19, 2026 - 14:36

Gazetari kroat dhe avokati serb po zhvillojnë një betejë të përbashkët ligjore dhe morale për zbardhjen e krimeve të luftës ndaj civilëve të Sarajevës, përfshirë akuzat për të ashtuquajturin “Safari i Sarajevës” – vrasje të civilëve nga snajperë, ku dyshohet për përfshirje të organizuar politike dhe logjistike.

Për këtë temë kanë folur gazetari hulumtues Domagoj Margetiq dhe avokati Çedomir Stojkoviq në emisionin Plenum të Televizionit Federal.

Gazetari kroat Domagoj Margetiq deklaroi se ka nisur hulumtimin për “Safari i Sarajevës” që në vitin 1995, gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Ai tha se kishte bashkëpunuar me Nedzad Ugljen, ish-zëvendësdrejtor i Agjencisë për Kërkim dhe Dokumentacion, i cili kishte përpiluar dosje dhe dëshmi për vrasjet e civilëve.

Sipas Margetiq, Ugljen i kishte thënë se organizimi i këtyre krimeve ishte bërë përmes Partisë Radikale Serbe dhe figurave të saj kyçe, përfshirë Vojislav Sheshelin dhe Aleksandar Vuçiqin, atëherë zyrtar i lartë partiak.

Pas vrasjes së Ugljenit, Margetiq thotë se dosjet dhe provat u zhdukën. Ai pohon se për muaj me radhë ka kërkuar informacion nga institucionet e Bosnjë dhe Hercegovinës, përfshirë SIPA-n, por pa asnjë përgjigje konkrete.

Gazetari bëri të ditur se ka paraqitur një kallëzim të detajuar në Prokurorinë e Milanos, ku ka përshkruar strukturën logjistike, emrat e të dyshuarve, dëshmitarët dhe rrethanat e krimeve, duke theksuar pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë dhe organizative të Aleksandar Vuçiqit në periudhën e luftës.

Sipas tij, Prokuroria e Milanos është duke punuar mbi rastin dhe mund të ngrejë aktakuzë, por një pikë kyçe mbetet bashkëpunimi i institucioneve të Bosnjë dhe Hercegovinës, për të cilin Margetië shprehu shqetësim për sabotim të mundshëm.

Akuza për nervozizëm dhe prova të reja

Margetiq tha se reagimet publike të Aleksandar Vuçiqit ndaj këtyre akuzave tregojnë “nervozizëm ekstrem”, që sipas tij lidhet drejtpërdrejt me përgjegjësinë për krime lufte.

Ai zbuloi gjithashtu ekzistencën e një dokumenti – urdhër të nënshkruar nga Slavko Aleksiq, ish-komandant i një formacioni çetnik – i cili garantonte kalim të lirë për Aleksandar Vuçiqin në zonat e Sarajevës dhe Romanisë gjatë shoqërimit të të huajve në varrezat hebraike, një nga pikat kyçe të akuzave për “safari njerëzor”.

Gazetarit Margetiq i është ndaluar hyrja në Serbi që nga maji i vitit 2023, ndërsa një kërkesë për urdhër arresti ndërkombëtar përmes Interpolit është refuzuar. Megjithatë, ndaj tij ekziston një urdhër arresti i brendshëm në Serbi.

Stojkoviq: Logjistika është bashkëfajësi në krim lufte

Avokati serb Çedomir Stojkoviq tha se angazhimi i tij për hetimin e krimeve të luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë buron nga përballja personale me faktet dhe thyerja e narrativave propagandistike të viteve ’90.

Ai theksoi se, sipas të drejtës penale, sigurimi i logjistikës – përfshirë organizimin e transportit dhe mbështetjen operative – përbën bashkëfajësi dhe nxitje për krime lufte, njësoj si kryerja direkte e tyre.

Stojkoviq kujtoi se Aleksandar Vuçiq ishte Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe, një funksion që nënkuptonte kontroll të plotë mbi logjistikën, përfshirë organizimin e autobusëve që, sipas dëshmive, transportonin vullnetarë dhe të huaj drejt Sarajevës për të marrë pjesë në vrasjen e civilëve.

Ai bëri të ditur se ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë për Krime Lufte në Beograd, duke kërkuar hetim për të gjithë zinxhirin e përgjegjësisë – nga organizatorët e transportit deri te financuesit dhe bashkëpunëtorët.

“Pa përballje me të vërtetën, nuk ka shërim”

Stojkoviq paralajmëroi për normalizimin e krimeve në shoqëritë e rajonit dhe heshtjen institucionale ndaj së kaluarës.

Sipas tij, pa një përballje të sinqertë me krimet e luftës, shoqëritë e Ballkanit nuk mund të shërohen.

Të dy, Margetiq dhe Stojkoviq, theksuan se motivi i tyre është detyra morale dhe ndërgjegjja, duke kërkuar drejtësi për civilët e Sarajevës dhe zbardhjen e plotë të krimeve që, sipas tyre, vazhdojnë të mbulohen nga struktura politike dhe institucionale. /The Geo Post