SHBA ka një strategji të re sigurie, dërgon sinjal të qartë te aleatët
SHBA-të do të ofrojnë mbështetje "më të kufizuar" për aleatët, sipas Strategjisë së re të Mbrojtjes Kombëtare të Pentagonit.
Në një ndryshim të rëndësishëm në prioritetet e saj të sigurisë, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes tani e konsideron sigurinë e atdheut të SHBA-së dhe Hemisferës Perëndimore - jo Kinën - si shqetësimin e tij kryesor.
Versionet e mëparshme të strategjisë - të publikuara çdo katër vjet - e emëronin kërcënimin që përbën Kina si përparësinë kryesore të mbrojtjes.
Marrëdhëniet me Kinën tani do të trajtohen përmes "forcës, jo konfrontimit", thotë raporti, shkruan BBC.
Strategjia e mbrojtjes përforcon thirrjet e fundit nga presidenti Donald Trump, duke përfshirë edhe një “ndarje më të madhe të barrës” nga aleatët në përballjen me kërcënimet e paraqitura nga Rusia dhe Koreja e Veriut.
Raporti i ri prej 34 faqesh vjen pas publikimit të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së vitin e kaluar.
Për krahasim, në vitin 2018, Pentagoni i përshkroi "fuqitë revizioniste", të tilla si Kina dhe Rusia, si "sfida qendrore" për sigurinë e SHBA-së.
Strategjia e re u bën thirrje aleatëve amerikanë të ndërmarrin hapa, duke thënë se partnerët kanë qenë “të kënaqur” që e kanë lejuar Uashingtonin të subvencionojë mbrojtjen e tyre, megjithëse mohon se ky ndryshim sinjalizon një lëvizje të SHBA-së drejt “izolacionizmit”.
“Përkundrazi, kjo do të thotë një qasje e fokusuar dhe vërtet strategjike ndaj kërcënimeve me të cilat përballet kombi ynë", thuhet në të.
Uashingtoni prej kohësh i ka neglizhuar "interesat konkrete" të amerikanëve, thotë raporti, duke shtuar se SHBA-të nuk duan t'i ngatërrojnë interesat amerikane "me ato të pjesës tjetër të botës - se një kërcënim për një person në gjysmën e botës është i njëjtë me atë për një amerikan".
Në vend të kësaj, thuhet se aleatët, veçanërisht Evropa, "do të marrin drejtimin kundër kërcënimeve që janë më pak të rënda për ne, por më shumë për ta".
Rusia, e cila nisi agresionin në Ukrainë gati katër vjet më parë, përshkruhet si një "kërcënim i vazhdueshëm, por i menaxhueshëm për anëtarët lindorë të NATO-s".
Ndryshe nga versionet e mëparshme të strategjisë, Tajvani, ishulli vetëqeverisës i pretenduar nga Kina, nuk përmendet.
Megjithatë, dokumenti shkruan se SHBA-të synojnë të "parandalojnë këdo, përfshirë Kinën, që të jetë në gjendje ta dominojnë SHBA-në ne ose aleatët e saj".
Strategjia gjithashtu përshkruan një rol "më të kufizuar" për parandalimin e Koresë së Veriut nga SHBA-ja.
Koreja e Jugut është "e aftë të marrë përgjegjësinë kryesore" për detyrën, shton ajo.
Strategjia përsërit se Pentagoni "do të garantojë aksesin ushtarak dhe tregtar të SHBA-së në terrene kyçe, veçanërisht në Kanalin e Panamasë, Gjirin e Amerikës dhe Grenlandën".
Dokumenti gjithashtu thotë se qasja e administratës Trump do të jetë "thelbësisht e ndryshme nga strategjitë madhështore të administratave të kaluara pas Luftës së Ftohtë".
Shton: “Jashtë idealizmi utopik; brenda realizmi i ashpër.” /Telegrafi/