WSJ: Gjasat e një sulmi rus ndaj NATO-s dhe BE-së janë rritur
Qeveritë evropiane po përgatiten për luftë me Rusinë. Një simulim lufte, i publikuar së fundmi, sugjeron se ato nuk janë gati.
The Well Street Journal shkruan se sipas shumë liderëve evropianë të sigurisë dhe politikës, një ndërhyrje ushtarake ruse apo edhe një pushtim i plotë, në vendet e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) dhe të Bashkimit Evropian, është bërë më i mundshëm për shkak të tensioneve të Evropës me presidentin Trump lidhur me Grenlandën, Ukrainën, tregtinë dhe çështje të tjera.
Analistët e sigurisë theksojnë gjithnjë e më shpesh se pyetja nuk është më nëse do të ndodhë një krizë, por kur. Vlerësimet e mëparshme, sipas të cilave Rusia nuk do të ishte në gjendje të kërcënonte seriozisht NATO-n para vitit 2029, tani po vihen në dyshim, pasi besohet se momenti kritik mund të vijë shumë më herët.
Një simulim i një pushtimi rus të Lituanisë, i zhvilluar në dhjetor nga gazeta gjermane Die Welt dhe Universiteti Helmut-Schmidt, nxori në pah këto rreziqe. Në ushtrim morën pjesë 16 ish-zyrtarë të lartë të NATO-s dhe ekspertë ushtarakë.
Sipas skenarit, Rusia përdor një “krizë humanitare” të inskenuar në Kaliningrad si justifikim për të pushtuar qytetin lituanez Marijampolë, një zonë kyçe e Korridorit të Suwalkit, që lidh shtetet baltike me pjesën tjetër të territorit të NATO-s.
Kjo narrativë rezulton e mjaftueshme për të bindur Shtetet e Bashkuara të mos aktivizojnë Nenin 5 të NATO-s, që garanton mbrojtjen kolektive. Gjermania heziton, ndërsa Polonia mobilizon forcat, por nuk i dërgon ato përtej kufirit. Një brigadë gjermane e vendosur në Lituani bllokohet, pasi dronët rusë minojnë daljet nga baza.
Rezultati i simulimit është shkatërrues për Perëndimin: Rusia, me vetëm 15 mijë trupa, arrin të minojë besueshmërinë e NATO-s dhe të vendosë kontroll mbi rajonin e Baltikut brenda pak ditësh.
Analisti ushtarak Franz-Stefan Gady, i cili luajti rolin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm rus në simulim, thekson se çelësi i suksesit nuk ishte forca ushtarake, por vlerësimi i saktë i vullnetit politik të Perëndimit. “Ne e dinim se Gjermania do të hezitonte – dhe kjo ishte e mjaftueshme,” u shpreh ai.
Paralajmërime të ngjashme vijnë edhe nga zyrtarë evropianë. Ministri holandez i Mbrojtjes, Ruben Brekelmans, deklaron se Rusia po ndërton shpejt rezerva strategjike dhe po forcon praninë e saj ushtarake përgjatë kufijve të NATO-s, duke shtuar se Moska mund të jetë gati për operacione të mëdha ushtarake brenda një viti.
Edhe pse disa analistë përmendin përparimin e ngadaltë të Rusisë në Ukrainë dhe humbjet e rënda, vlerësohet se ajo mund të lirojë deri në 200 mijë ushtarë me përvojë në një periudhë të shkurtër kohe, thjesht duke ndryshuar taktikat në frontin aktual.
Përfundimi i ushtrimit është i qartë: problemi më i madh i Perëndimit nuk është mungesa e kapaciteteve ushtarake, por mungesa e vendosmërisë. Kremlini nuk ka nevojë për një pushtim masiv; mjaftojnë lëvizje të kufizuara, manipulim informacioni dhe një hezitim i shkurtër për të vënë në pikëpyetje unitetin dhe besueshmërinë e NATO-s.