Fjalimi rekord i Trumpit në Kongres, ekonomia dhe Irani në qendër
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbajtur fjalimin e tij vjetor para një seance të përbashkët të Kongresit, duke vendosur rekord për fjalimin më të gjatë të “Gjendjes së Kombit” në histori, me një kohëzgjatje prej afro 1 orë e 50 minuta.
Në fjalimin e tij, presidenti Trump theksoi vazhdimisht agjendën ekonomike, duke deklaruar se gjatë vitit të parë pas rikthimit në White House ai kishte mbikëqyrur një “rikthim historik” të ekonomisë amerikane.
Sa i përket politikës së jashtme, presidenti i SHBA-së u ndal te Irani, duke theksuar se “preferenca ime është ta zgjidhim këtë problem përmes diplomacisë”, por paralajmëroi Teheranin kundër ndjekjes së një programi për armë bërthamore.
Fjalimi u shoqërua me tensione të herëpashershme me demokratët në sallë. Megjithatë, ai nuk i kritikoi drejtpërdrejt gjyqtarët e Gjykatës Supreme, të pranishëm në seancë, lidhur me vendimin e tyre të fundit për tarifat.
Përgjigjen zyrtare të demokratëve e dha guvernatorja e Virxhinias, Abigail Spanberger, e cila deklaroi se presidenti “nuk ofroi zgjidhje reale për sfidat urgjente të kombit tonë”.
Fjalimi vjen në një moment kur sondazhet tregojnë rritje të skepticizmit të amerikanëve ndaj agjendës së tij për mandatin e dytë, në prag të zgjedhjeve të rëndësishme të mesmandatit që do të mbahen në nëntor. /rtk