Tramvaji del nga shinat në qendër të Milanos, një i vdekur dhe 39 të plagosur

Tramvaji del nga shinat në qendër të Milanos, një i vdekur dhe 39 të plagosur

Bota February 27, 2026 - 20:23

Një aksident i rëndë hekurudhor u regjistrua pasditen e sotme në Milano, ku tramvaji i linjës 9 doli nga shinat në zonën mes Via Vittorio Veneto dhe Via Lazzaretto, në qendër të qytetit. Si pasojë, një person humbi jetën dhe të paktën 39 të tjerë mbetën të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë.

Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, tramvaji po lëvizte me shpejtësi në korsinë e dedikuar, kur papritur doli nga shinat, kaloi barrierat mbrojtëse dhe u përplas me një ndërtesë aty pranë.Viktima është një burrë italian rreth 60 vjeç. Në vendngjarje ndërhynë menjëherë shërbimet e emergjencës me 3 automjete mjekësore, 1 mjet ndihme të shpejtë mjekësore, 13 ambulanca dhe 2 automjete koordinimi.

Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta. Kryeprokurori i Milanos, Marcello Viola, mbërriti në vendngjarje dhe konfirmoi se është hapur hetim për vrasje nga pakujdesia dhe plagosje nga pakujdesia. Në vendngjarje shkoi edhe kryebashkiaku i Milanos, Beppe Sala, për t’u njohur nga afër me situatën.Dëshmitarët përshkruajnë skena paniku.

“Dëgjova një fishkëllimë dhe një zhurmë të fortë, si shpërthim. Pashë tramvajin të anohej majtas dhe më pas një bum i madh”, tha një grua që ndodhej në një lokal pranë zonës së aksidentit.Kompania e transportit publik të qytetit, ATM, reagoi me një deklaratë zyrtare duke shprehur tronditjen për ngjarjen dhe ngushëllimet për familjen e viktimës.

Kompania bëri të ditur se po bashkëpunon plotësisht me autoritetet për të zbardhur shkaqet e aksidentit dhe për të ofruar të gjithë informacionin e nevojshëm për hetimin./rtsh