Clinton pas dëshmisë: Askush mbi ligjin, viktimat e Epstein meritojnë drejtësi
Bill Clinton tha se pranoi të dëshmonte në lidhje me Jeffrey Epstein, pasi e do vendin e tij dhe mendon se askush nuk është mbi ligjin, ndërsa viktimat e pedofilit meritojnë drejtësi.
Ish presidenti iu përgjigj pyetjeve për gjashtë orë para komitetit mbikëqyrës së dhomës së përfaqësuesve.
Ligjvënësit republikanë dhe demokratë thanë se ai iu përgjigj çdo pyetjeje që iu bë dhe nuk zgjodhi të drejtën për të heshtur në asnjë rast.
Bill Clinton u tha anëtarëve të Kongresit të premten se ai “nuk bëri asgjë të gabuar” në marrëdhënien e tij me Jeffrey Epstein dhe nuk pa asnjë shenjë të abuzimeve seksuale.
Dëshmia e demokratit shënoi herën e parë që një ish-president është detyruar të dëshmojë në Kongres.
Kur u pyet në lidhje me fotografinë që tregonte ish-presidentin duke pushuar në një vaskë të nxehtë me personin që dukej të ishte një grua – fytyra e së cilës është mbuluar për të mbrojtur identitetin e saj – Bill Clinton u tha ligjvënësve se nuk e njihte atë dhe mohoi të kishte pasur marrëdhënie seksuale me të.
Ish presidenti tha se nuk ishte shoqëruar më me Epstein, pasi ai u dënua në vitin 2008 për krime që lidheshin me abuzimin e të miturve.
Dëshmia e Bill Clinton erdhi një ditë pasi gruaja e tij, ish-Sekretarja e Shtetit e SHBA-së, Hillary Clinton, i tha komitetit mbikëqyrës së ajo nuk kishte dijeni për krimet e pedofilit dhe nuk mbante mend ta kishte takuar.
Emri i Bill Clinton përmendet mijëra herë në dosje dhe ai është shfaqur në shumë imazhe të publikuara nga departamenti amerikan i drejtësisë, megjithatë deri më tani ai nuk është akuzuar nga të mbijetuarat e rrjetit të abuzimit të Epstein. /abcnews