Çfarë dihet deri më tani për tensionet në Lindjen e Mesme?
Izraeli i ka vazhduar edhe të dielën sulmet kundër atyre që i ka përshkruar si “shënjestra të regjimit” iranian, ndonëse një ditë më parë nga sulmet e tij dhe të Shteteve të Bashkuara u vra lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei dhe dhjetëra zyrtarë tjerë shtetërorë.
Irani është zotuar për hakmarrje të ashpër dhe është duke shënjestruar Izraelin dhe bazat amerikane në disa vende të rajonit – Bahrein, Kuvajt, Emirate të Bashkuara Arabe. Këto të fundit po raportojnë se po i rrëzojnë dronët edhe raketat e nisura nga Irani.
Nëpër Iran, rrugët janë të mbushura me njerëz që i gëzohen lajmit për vdekjen e Khameneti, ose vajtojnë për të, raporton Radio Evropa e Lire.
Derisa të gjendet figura e re në krye të shtetit, autoritetet iraniane kanë bërë të ditur se Alireza Arafi është përzgjedhur si zëvendësues i përkohshëm i Khameneit në Këshillin shtetëror që përbëhet nga presidenti Masud Pezeshkian dhe kreut i gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni-Ejei.
Rusia, aleate e Iranit, ka shprehur ngushëllime për vrasjen e Khameneit ndërsa aktin e ka përshkruar si “cinik”.
Zhvillimet në Lindje të Mesme kanë potencial të ndikojnë në gjithë botën, pasi raportohet se shumë cisterna me naftë janë bllokuar në Ngushticën e Hormuzit nga ana e Iranit.