Tre avionë luftarakë amerikanë rrëzohen në Kuvajt, dyshohet për goditje aksidentale
SHBA-ja njoftoi se tre avionë të saj luftarakë F-15 janë rrëzuar në Kuvajt.
Dyshohet se ata janë goditur gabimisht nga forcat aleate, të cilat po mbështesnin operacionin e SHBA-së, Tërbimi Epik, në Iran.
Në njoftimin e Komandës Qendrore të SHBA-së thuhet se "gjatë luftimeve aktive - që përfshinin sulme nga avionë iranianë, raketa balistike dhe dronë - avionët luftarakë të Forcave Ajrore të SHBA-së u qëlluan gabimisht nga mbrojtja ajrore e Kuvajtit".
Të gjashtë pjesëtarët e ekuipazhit u hodhën me parashutë dhe shpëtuan.
Shkaku i incidentit është nën hetim.
Më herët, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Kuvajtit tha se disa avionë ushtarakë amerikanë u rrëzuan mëngjesin e së hënës në territorin e këtij vendi, por se pilotët dhe ekuipazhet shpëtuan.
Autoritetet nisën menjëherë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa ekuipazhet u evakuuan dhe u dërguan në spital për kontrolle shëndetësore dhe trajtim të nevojshëm.
Zëdhënësi shtoi se ka pasur koordinim të drejtpërdrejtë me forcat amerikane për detajet e incidentit dhe se janë marrë disa masa të përbashkëta teknike.
Edhe sipas tij, autoritetet po vazhdojnë të hetojnë, për të përcaktuar shkakun e rrëzimit. /Rel