Rënie e papritur e punësimit në SHBA, shtohen shqetësimet për tregun e punës
Numri i vendeve të punës në ekonominë e Shteteve të Bashkuara ra muajin e kaluar, një tkurrje e papritur që ka ringjallur dyshimet nëse tregu amerikan i punës po nis të shfaqë shenja dobësimi.
Sipas të dhënave më të fundit zyrtare, numri i të punësuarve në sektorin jo-bujqësor u ul me 92 mijë, ndërsa norma e papunësisë u rrit në 4.4%. Shifrat surprizuan analistët, të cilët kishin parashikuar që ritmi i punësimit të mbetej i qëndrueshëm.
Kjo përbën rënien më të madhe mujore të vendeve të punës që nga tetori, kur qeveria federale e SHBA u përball me një mbyllje të përkohshme të aktivitetit. Zhvillimi vjen gjithashtu në një kohë kur ekzistojnë shqetësime se rritja e çmimeve të naftës, e nxitur nga lufta SHBA-Izrael në Iran, mund të kërcënojë rritjen ekonomike.
Pothuajse të gjithë sektorët regjistruan humbje vendesh pune, përfshirë edhe shëndetësinë, një sektor që zakonisht konsiderohet i qëndrueshëm. Ky sektor u godit muajin e kaluar nga grevat. Punësimi në administratën federale vazhdoi gjithashtu të bjerë, duke u tkurrur me 10 mijë vende pune gjatë muajit të fundit.
Që nga kulmi i arritur në tetor 2024, punësimi në qeverinë federale ka rënë me 330 mijë vende pune, ose rreth 11%, sipas Departamentit Amerikan të Punës.
Departamenti bëri të ditur gjithashtu se rritja e vendeve të punës në dhjetor dhe janar ishte më e ulët se sa ishte vlerësuar fillimisht.
Edhe nëse punësimi në sektorin e shëndetësisë rikuperohet, siç pritet, shifrat e fundit zbehin shpresat se punësimi mund të përshpejtohet pas ngadalësimit të vitit 2025, i cili ishte viti më i dobët për krijimin e vendeve të punës që nga periudha e pandemisë, tha Samuel Tombs, kryeekonomist për SHBA në Pantheon Macroeconomics.
“Çfarë stabilizimi?” shkroi ai në një analizë pas publikimit të të dhënave. “Ideja se tregu i punës ka kthyer faqe rrëzohet nga ky raport.”
Rënia e punësimit ndikoi menjëherë edhe në tregjet financiare, duke çuar në uljen e aksioneve në Wall Street dhe duke shtuar presionin politik ndaj presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte bërë fushatë me premtime për përmirësimin e ekonomisë.
Demokratët reaguan shpejt ndaj shifrave. Senatorja Elizabeth Warren deklaroi se ato tregojnë se Shtëpia e Bardhë po “rrënon tregun e punës”, ndërsa zyrtarët e administratës i minimizuan rëndësinë e tyre.
Në një intervistë për CNBC, drejtori i Këshillit Kombëtar Ekonomik, Kevin Hassett, tha se pret që rritja e fortë ekonomike të nxisë krijimin e vendeve të reja të punës në muajt në vijim.
“Do të ketë aq shumë aktivitet ekonomik sa që kushdo që dëshiron të punojë do të mund të gjejë një punë,” u shpreh ai.
Raporti i fundit e ndërlikon gjithashtu situatën për bankën qendrore amerikane, Rezervën Federale.
Në rrethana normale, dobësimi i tregut të punës do ta shtynte bankën qendrore të ulte normat e interesit për të nxitur ekonominë. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se rreziku i një rritjeje të qëndrueshme të çmimeve të naftës, që mund të ushqejë inflacionin, mund t’i bëjë politikëbërësit më të kujdesshëm.
“Shifrat e sotme mund ta kenë vendosur Rezervën Federale mes dy zgjedhjeve të vështira,” tha Ellen Zentner, strategia kryesore ekonomike në Morgan Stanley Wealth Management.