Sulmi me 150 viktima në sallën e koncerteve në Moskë, dënohen me burgim të përjetshëm 15 persona

Sulmi me 150 viktima në sallën e koncerteve në Moskë, dënohen me burgim të përjetshëm 15 persona

Bota March 12, 2026 - 16:49

Një gjykatë ushtarake ruse dënoi të martën katër autorët dhe 11 bashkëpunëtorët e tyre me burgim të përjetshëm për sulmin vdekjeprurës dy vjet më parë në sallën e koncerteve Crocus City Hall pranë Moskës.

Ngjarja tragjike solli 150 viktima dhe plagosi më shumë se 600 persona. Shteti Islamik, Provinca Khorasan (ISIS-K), mori përgjegjësinë për sulmin. Katër të pandehurve të tjerë iu dhanë dënime me burgim që varionin nga 19 deri në 22 vjet.

Gjykimi u zhvillua me dyer të mbyllura, një praktikë e zakonshme në Rusi për raste të tilla. ISIS-K është dega afgane e grupit të Shtetit Islamik, i cili dikur kërkoi të merrte kontrollin e pjesëve të Irakut dhe Sirisë. Ai është lidhur me disa sulme të tjera të planifikuara në Rusinë jugore dhe Azerbajxhan vitet e fundit, një trend që ka alarmuar agjencitë e inteligjencës.

Më 22 mars 2024, persona të armatosur sulmuan sallën e koncerteve dhe hapën zjarr mbi turmën përpara se t’i vinin flakën ndërtesës, duke zënë në kurth shumë njerëz brenda.

Moska, e cila ishte tashmë e përfshirë në një luftë dyvjeçare me Ukrainën, akuzoi Kievin për përfshirje në sulm, por kurrë nuk i vërtetoi akuzat e saj. Autoritetet ukrainase mohuan çdo përgjegjësi.

Pas sulmit, Rusia shtrëngoi ligjet dhe retorikën e saj anti-imigracion, pavarësisht faktit se një numër i madh shtetasish të Azisë Qendrore jetojnë dhe punojnë në vend. /euronews