Izraeli nuk pret që lufta të përfundojë së paku edhe tri javë
Autoritetet iIzraelite kanë thënë se lufta me Iranin nuk pritet të përfundojë së paku edhe për tri javë, ndërsa zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se presin që edhe shtete të tjera së shpejti të përfshihen në luftë.
Përderisa forcat iraniane dhe amerikane po vazhdojnë me fushatën e tyre në Iran, zyrtarët sinjalizojnë se lufta nuk pritet të përfundojë shpejt. Zëdhënësi i forcave mbrojtëse të Izraelit u ka thënë mediave se, sipas analizave momentale, pritet që lufta të zgjasë edhe së paku tri javë, para se të shkatërrohen mijëra caqe të mbetura.
Këto deklarata vijnë në kohën kur nga Irani njoftohet për valë të mëdha sulmesh ndaj caqeve në provincën Isfahan, si dhe në pjesët qendrore dhe perëndimore të Iranit.
Edhe pse, deri më tani, forcat amerikane dhe ato izraelite kanë shkatërruar mijëra caqe të forcave dhe të regjimit iranian, Teherani ende besohet se kontrollon mes 30 dhe 40 për qind të lansuesve mobilë të raketave dhe të fluturakeve pa pilot, me të cilat po vazhdon të sulmojë vendet e rajonit.
Pasi presidenti amerikan Donald Trump u bëri thirrje vendeve të tjera që të ndihmojnë në sigurimin e lëvizjes së lirë të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, zyrtarët amerikanë thanë se presin që, së shpejti, vende të tjera do t’u bashkohen operacioneve në Iran.
Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, u ka thënë mediave se asetet ushtarake amerikane, si dhe asetet ushtarake të disa vendeve të tjera, do të punojnë së bashku për të siguruar ngushticën. Megjithatë, Wright nuk tregoi se cilat vende janë në pyetje.
Ndërkohë, edhe Irani vazhdoi me sulme drejt vendeve të rajonit, duke shënjestruar caqe civile si dhe baza ushtarake. Raportohet për një sulm ndaj një baze të përbashkët amerikano-italiane në Kuvajt, si dhe ndaj një baze amerikane në Irak. Njëkohësisht, Izraeli dhe vende të tjera raportuan se kanë ndaluar dhjetëra raketa dhe qindra fluturake iraniane pa pilot.