Trumpi i jep Teheranit 48 orë afat për hapjen e Hormuzit, ose SHBA-ja do të “shkatërrojë” termocentralet e Iranit

Trumpi i jep Teheranit 48 orë afat për hapjen e Hormuzit, ose SHBA-ja do të “shkatërrojë” termocentralet e Iranit

Bota March 22, 2026 - 10:13

Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka dhënë 48 orë afat Iranit që “të hapë plotësisht” Ngushticën e rëndësishme të Hormuzit, ose në të kundërtën do të “shkatërrojë” termocentralet e Iranit, një përshkallëzim i madh në luftën që tashmë kërcënon që të dalë jashtë kontrollit.

Këtë afat, Trump e vendosi në orën 19:44, me kohën lokale të Uashingtonit, kur shkroi në Truth Social më 21 mars.

“Nëse Irani nuk e HAP PLOTËSIHTISH, PA KËRCËNIM Ngushticën e Hormuzit brenda 48 ORËSH nga ky moment, Shtetet e Bashkuara do të godasin dhe do të shkatërrojnë plotësisht TERMONCENTRALET E TYRE, DUKE NISUR NGA MË I MADHI”, shkroi Trump.

Ai nuk specifikoi se cilat termocentrale do të jenë në shënjestër të SHBA-së dhe ky paralajmërim vjen një ditë pasi Trump tha se po e shqyrtonte “uljen e intensitetit” të operacioneve ushtarake.

Edhe në kohën kur ai e bëri këtë deklaratë, Pentagoni po dislokonte mijëra trupa shtesë tokësore në rajon përmes luftanijeve të marinës për të rritur praninë ushtarake në luftën me Iranin, raportuan disa media. Pentagoni nuk ka komentuar zyrtarisht për këto raportime.

Në përgjigje të ultimatumit të Trumpit, komanda e ushtrisë së Iranit, sipas medias shtetërore iraniane, citohet të ketë thënë se nëse sulmohen karburantet dhe infrastruktura e energjisë, e gjithë infrastruktura e energjisë që i përket SHBA-së në rajon do të shënjestrohet. Irani tha po ashtu se do të shënjestrojë impiantet e desalinizimit.

Megjithëse nuk është bllokuar fizikisht, Irani e ka bërë këtë rrugë ujore vështirë të kalueshme përmes sulmeve kinetike, minave dhe luftës elektronike, si dhe duke kërcënuar tregun.

Bllokimi i ngushticës ka kufizuar furnizimet globale, duke çuar në rritjen e çmimeve të naftës në mbarë botën dhe duke rritur koston e jetesës për qindra miliona njerëz.

Trump ka kërkuar që vendet që e përdorin ngushticën për transportin e burimeve të tyre energjetike të marrin rolin udhëheqës në mbrojtjen e kalimin në këtë rrugë ujore, përmes shoqërimit ushtarak të anijeve ose mjeteve të tjera.

Aleatët evropianë të SHBA-së dhe Japonia kanë shprehur gatishmëri për “përpjekje të përshtatshme” për të siguruar kalimin përmes ngushticës, por shumë kanë thënë se një veprim i tillë do të vite vetëm pas një armëpushimi, duke e zemëruar Trumpin, i cili i ka quajtur “frikacakë”.

Sulme të ndërsjella afër objekteve bërthamore

Ndërkaq, Izraeli dhe Irani duket se kanë rritur rrezikun për një katastrofë të madhe, pasi të dyja palët kanë kryer sulme afër ndërtesave bërthamore, duke ashpërsuar retorikën në Tel Aviv dhe Teheran dhe duke shkaktuar shqetësim në organizatën mbikëqyrëse bërthamore të Kombeve të Bashkuara.

Një raketë iraniane goditi më 21 mars qytezën izraelite të Dimonas, ku gjendet një central bërthamor. Teherani tha se ky ishte sulm hakmarrës për sulmet në ndërtesën e pasurimit të uraniumit, Natanz, më herët gjatë ditës.

Izraeli nuk e ka pranuar asnjëherë publikisht se ka armë bërthamore dhe kompleksi në Dimona zyrtarisht përshkruhet si ndërtesë kërkimore. Kompleksi, që gjendet në periferi të qytezës, gjerësisht besohet se përmban arsenalin bërthamor të Izraelit, i vetmi shtet që besohet se ka arsenal të tillë në Lindjen e Mesme.

Pas sulmit në Natanz të Iranit, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) përsëriti thirrjen për “frenim ushtarak për të parandaluar një incident bërthamor”.

IAEA po ashtu bëri thirrje të njëjtë pasi Irani lëshoi raketa drejt Dimonas në Izrael.

“IAEA është në dijeni të raporteve për një incident në qytetin Dimona të Izraelit, që përfshin sulmin nga një raketë, por nuk ka pranuar asnjë indikacion për dëme në qendrën kërkimore bërthamore Negev”, shkroi agjencia në X.

“Informacionet nga shtetet e rajonit tregojnë se nuk janë detektuar nivele jonormale të rrezatimit”, shtoi agjencia.

Goditje ‘direkte me raketë’

Ushtria izraelite i tha AFP-së se kishte pasur një “goditje direkte me raketë në një ndërtesë” në Dimona, ndërsa ekipet e emergjencës thanë se të paktën 33 persona janë plagosur në disa lokacione.

Një raketë e dytë iraniane goditi në jug të Izraelit, në Arad, duke plagosur të paktën 59 persona, thanë zyrtarët lokalë.

“Ekipet mjekësore po trajtojnë dhe transportojnë në spitale 59 pacientë”, tha organizata e ekipeve të emergjencës në Izrael.

Zjarrfikësit thanë se “si në Dimona ashtu edhe në Arad, u lëshuan sisteme të mbrojtjes ajrore që nuk arritën të godisnin raketat që vinin, duke rezultuar në dy goditje të drejtpërdrejta nga raketa balistike me ngarkesë me peshë prej qindra kilogramësh”.

Ndërkaq, Izraeli gjithashtu tha se forcat e tij kishin goditur një objekt brenda një universiteti në Teheran, për të cilin pretendoi se po përdorej për zhvillimin e komponentëve për armë bërthamore.

“Objekti i Universitetit Malek-Ashtar University është përdorur nga industria ushtarake dhe struktura e raketave balistike e regjimit terrorist iranian për të zhvilluar komponentë dhe armë bërthamore”, tha ushtria izraelite.

“Beteja për të ardhmen”

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua se do të vazhdojë goditjet ndaj Iranit pas asaj që e cilësoi si një “mbrëmje shumë të vështirë” pas sulmeve në Dimona dhe Arad.

“Kjo është një mbrëmje shumë e vështirë në betejën për të ardhmen tonë”, tha Netanyahu në një deklaratë. “Ne jemi të vendosur të vazhdojmë të godasim armiqtë tanë në të gjitha frontet”.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëroi se Izraeli dhe SHBA-ja do të nisin të intensifikojnë sulmet ajrore ndaj Iranit duke filluar nga 22 marsi.

“Intensiteti i goditjeve që do të kryhen nga ushtria izraelite dhe ushtria amerikane kundër regjimit terrorist iranian dhe infrastrukturës mbi të cilën ai mbështetet do të rritet ndjeshëm”, tha Katz.

Goditja më e largët e Iranit

Bota vazhdoi të reagojë ndaj lëshimit të papritur nga Irani të raketave balistike drejt bazës së përbashkët SHBA–Mbretëri e Bashkuar në ishullin Diego Garcia, që gjendet rreth 4.000 kilometra larg territorit iranian.

Izraeli tha se forcat iraniane kishin lëshuar për herë të parë raketa me rreze të gjatë, duke zgjeruar rrezikun e sulmeve përtej Lindjes së Mesme. Asnjë nga raketat nuk goditi objektivin.

“Këto raketa nuk janë të destinuara për të goditur Izraelin. Rrezja e tyre arrijnë deri në kryeqytetet evropiane – Berlin, Paris dhe Romë janë të gjitha brenda rrezes së drejtpërdrejtë të kërcënimit”, tha shefi i ushtrisë izraelite, Eyal Zamir. /REL