Kroacia do të kufizojë përsëri çmimet e karburantit dhe energjisë

Kroacia do të kufizojë përsëri çmimet e karburantit dhe energjisë

Bota March 22, 2026 - 19:33

Qeveria e Kroacisë po ndërhyn përsëri në tregun e energjisë për të mbajtur çmimet e karburantit, gazit dhe energjisë elektrike sa më të ulëta, duke reaguar ndaj krizës globale të energjisë të shkaktuar nga konflikti në Lindjen e Mesme. Kryeministri Andrej Plenkoviq njoftoi se nesër do të prezantohet paketa e 10-të e masave qeveritare për të mbrojtur qytetarët dhe ekonominë nga rritja e papritur e çmimeve.

Qeveria e Kroacisë do të kufizojë përsëri çmimet e karburantit, dhe siç konfirmoi Ministri i Ekonomisë, “kjo do të ndodhë në mënyrë të konsiderueshme”.

Masat e subvencionimit për çmimet e energjisë elektrike dhe gazit do të vazhdojnë të zbatohen, duke ruajtur çmimet e mëparshme. Për më tepër, qeveria kroate ka vendosur të parandalojë “turizmin e benzinës”, duke kufizuar blerjet nga qytetarët e huaj.

Ministri i Ekonomisë bëri thirrje qytetarëve të mos krijojnë rezerva dhe të mos blejnë produkte energjetike në mënyrë joracionale, duke shtuar se “buxheti i kësaj mase mund të zgjasë për një kohë të gjatë”.

Kryeministri Andrej Plenkoviq njoftoi se nesër do të prezantojë paketën e 10-të të masave qeveritare për të mbrojtur qytetarët dhe ekonominë nga rritja e çmimeve të energjisë. Ai theksoi se kriza aktuale është më e theksuar se ajo e katër viteve më parë, e shkaktuar nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës:

“Është një rritje e papritur dhe e madhe e çmimeve të produkteve të energjisë, e cila domosdoshmërisht kërkon masa qeveritare”, tha ai.

Plenkoviq shtoi se qëllimi është “sigurimi i një furnizimi të qëndrueshëm dhe mbajtja e çmimeve të energjisë elektrike, gazit dhe karburantit sa më të ulëta të jetë e mundur për familjet dhe bizneset”. Ai njoftoi gjithashtu se do të merren vendime për blerësit e prekshëm të produkteve të energjisë dhe do të shqyrtohen masa të veçanta për fermerët, të cilët janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj rritjes së çmimeve të naftës blu.

Sipas Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), konflikti në Lindjen e Mesme ka ngadalësuar tregtinë globale, duke hequr rreth 400 milionë fuçi naftë nga tregu.

Tregtia e mallrave pritet të ngadalësohet në vitin 2026 në 1.9 për qind, duke e bërë këtë paketë masash qeveritare një ndërhyrje të domosdoshme për të mbrojtur ekonominë kombëtare. /rtk