Irani paralajmëron kundërpërgjigje ndaj çdo sulmi në sektorin e energjisë
Irani do të hakmerret në rast të një sulmi ndaj sektorit të energjisë iraniane me sulme ndaj termocentraleve izraelite, si dhe ndaj atyre që furnizojnë bazat amerikane në vendet e rajonit të Gjirit Persik, yhuhet në njoftimin e sotëm nga Garda Revolucionare e Iranit (IRGC).
Njoftimi duket se tërhoqi kërcënimet e mëparshme për impiantet e shkripëzimit të ujit në rajon, të cilat janë thelbësore për furnizimin me ujë të pijshëm të vendeve të Gjirit Persik, raporton Reuters.
“Presidenti amerikan gënjen, është terrorist dhe vrasës i fëmijëve, dhe pretendoi se Garda Revolucionare e Iranit kishte për qëllim të sulmonte impiantet e shkripëzimit të ujit dhe të shkaktonte vështirësi për njerëzit në vendet e rajonit”, thuhet në një njoftim të publikuar në median shtetërore iraniane.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi të shtunën se termocentralet e Iranit do të jenë objekt i sulmeve ajrore nëse Teherani refuzon të hapë plotësisht rrugën e transportit detar përmes Ngushticës së Hormuzit brenda 48 orëve.
Në një intervistë për Channel 13, Trump u shpreh se kërkesa për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, ose përndryshe përballja me sulme ndaj termocentraleve iraniane, do të “funksionojë shumë mirë”.
“Do ta shihni së shpejti se çfarë do të ndodhë me ultimatumin mbi termocentralet, do të jetë një rezultat shumë i mirë”, tha ai, duke shtuar se situata mund të eskalojë deri në një “shkatërrim total” të Iranit, nëse kërkesat nuk përmbushen.
“Jemi të vendosur t’i përgjigjemi çdo kërcënimi me të njëjtën masë. Nëse ata godasin termocentralet, edhe ne do t’i shënjestrojmë ato. Mos dyshoni se do ta bëjmë. Amerika nuk i di aftësitë tona – ata do t’i shohin në terren”, ka theksuar Garda Revolucionare e Iranit. /rtk