Këto janë masat e vendeve të rajonit ndaj rritjes së fundit të çmimeve të karburantit
Vendet e rajonit kanë ndërmarrë masa të reja për të përballuar rritjen e çmimeve të karburanteve, ndërsa tensionet globale në energji vijojnë të shtohen.
Në Kroaci qeveria ka miratuar një paketë të re masash për të zbutur ndikimin e krizës, duke kufizuar çmimet e karburanteve dhe duke garantuar stabilitet në furnizim.
Kryeministri Andrej Plenkoviq theksoi se kjo është paketa e dhjetë e ndihmës që nga viti 2020, me synim ruajtjen e vendeve të punës dhe stabilitetit ekonomik.
Sipas vendimit, çmimi i Eurodizelit është kufizuar në 1.73 euro për litër, ndërsa benzina në 1.62 euro.
Paralelisht kanë reaguar edhe vendet e tjera të rajonit.
Sipas një grafike të paraqitur nga TrtBalkan, përcjell Telegrafi, në Shqipëri akciza e naftës është ulur me 20%, ndërsa Maqedonia e Veriut ka ulur TVSH-në për derivatet e naftës nga 18% në 10%.
Në Mal të Zi akciza për naftën është ulur me 50% dhe për benzinën me 25%, ndërsa Serbia ka ulur akcizën deri në 60% dhe duke ndaluar eksportin e derivateve për të siguruar furnizimin e brendshëm.
Nga ana tjetër, Sllovenia ka vendosur kufizime të përkohshme për çmimet e karburanteve, pas shfaqjes së mungesave në disa pika të shitjes.
Këto masa vijnë në një kohë kur situata në Lindja e Mesme është përshkallëzuar, duke rritur rrezikun për tregun global të energjisë, veçanërisht për shkak të rëndësisë strategjike të ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon një pjesë e madhe e naftës dhe gazit në botë.
Pavarësisht ndërhyrjeve, autoritetet paralajmërojnë se mundësitë për të ndalur plotësisht rritjen e çmimeve janë të kufizuara, ndërsa qëllimi kryesor mbetet mbrojtja e standardit të jetesës dhe stabiliteti ekonomik në një periudhë pasigurie globale. /telegrafi