Francë, mbi 243 mijë punonjës të prekur nga rrjedhja e të dhënave në Ministrinë e Arsimit
Ministria e Arsimit e Francës njoftoi për një rrjedhje të të dhënave që ka prekur 243 mijë punonjës, përfshirë detaje identiteti dhe informacione kontakti.
“Hetimet fillestare tregojnë se një sasi e të dhënave që lidhen me rreth 243 mijë punonjës, si praktikantë ashtu edhe punonjës të përhershëm, është nxjerrë jashtë sistemit”, thuhet në një deklaratë të ministrisë.
Ajo theksoi se të dhënat përfshijnë detaje identiteti, informacione kontakti, periudha mungese si dhe identitetin dhe numrat profesionalë të telefonit të tutorëve.
“Qendra Operative për Sigurinë e Sistemeve të Informacionit e ministrisë u njoftua për shpërndarjen e paautorizuar të të dhënave nga sistemi informativ COMPAS, i cili është i dedikuar për menaxhimin e praktikantëve në arsimin fillor dhe të mesëm”, thuhet në deklaratë.
Sipas saj, rrjedhja besohet të ketë ndodhur më 15 mars.
“Pas zbulimit të incidentit, u aktivizua një njësi krize. Qasja e jashtme në sistemin e prekur është pezulluar dhe po kryhen kontrolle në të gjitha sistemet informative të ministrisë për të parandaluar çdo rrezik të përhapjes së mëtejshme”, theksoi ministria.
Ajo tha se personat e prekur do të informohen sa më shpejt të jetë e mundur. /abcnews