Rutte: Irani po bëhet kërcënim gjithnjë e më i rrezikshëm për aleatët e NATO-s
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte deklaroi se Iran nuk duhet të lejohet të sigurojë armë bërthamore, duke theksuar se aleanca ka qenë prej kohësh e vetëdijshme për rrezikun që paraqet programi raketor iranian.
Gjatë një konference për shtyp në prezantimin e Raportit Vjetor të NATO-s për vitin 2025, Rutte u ndal te rritja e kapaciteteve ushtarake të Iranit, veçanërisht në fushën e raketave me rreze të gjatë veprimi.
Ai përmendi si shembull edhe një sulm ndaj bazës britaniko-amerikane në Diego Garcia, duke theksuar se kjo tregon shtrirjen e mundshme të kërcënimit.
“Përfundimi logjik është se Irani tani ka aftësi gjithnjë e më të rrezikshme për aleatët,” u shpreh Rutte.
Ai shtoi se veprimet e SHBA synojnë të kufizojnë dhe zvogëlojnë aftësitë bërthamore dhe raketore të Iranit, ndërsa nënvizoi se NATO mbetet e bashkuar dhe e vendosur në mbrojtje të vendeve anëtare.
Në përfundim, kreu i NATO-s theksoi se aleanca do të vazhdojë të qëndrojë fort përballë çdo kërcënimi ndaj sigurisë së saj kolektive. /abcnews