Izraeli sulmon një ndër fabrikat më të mëdha të prodhimit të raketave në Iran
Izraeli dhe Irani kanë përshkallëzuar sulmet e tyre të ndërsjella këtë të premte, ndërsa konflikti në Lindjen e Mesme bëhet gati të hyjë në javën e tij të 5-të.
Ushtria izraelite ka njoftuar se ka goditur në Iranin qendror një ndër fabrikat më të mëdha të prodhimit të raketave dhe minave detare në qytetin Yazd. Tel Avivi ka deklaruar se Marina Islamike Iraniane prodhonte në këtë fabrikë shumicën e raketave dhe minave të saj detare.
Pamjet e publikuara nga Associated Press tregojnë qindra ndërtesa të shkatërruara në Iran, ndërsa kapacitetet e emergjencave civile nuk po ia dalin dot të nxjerrin trupat e mbetur nën rrënoja. Irani ka vijuar sulmet ndaj Izraelit duke goditur qytetin bregdetar të Natanyas, ku nuk janë raportuar viktima.
Teherani nuk ka ndalur sulmet as ndaj vendeve të Gjirit. Për të disatën ditë me radhë, Kuvajti raportoi sulme nga dronët iranianë, duke deklaruar se dronët e Teheranit kishin shkaktuar dëme materiale në portin kryesor të këtij shteti, por fatmirësisht vetëm disa orë më pas Kuvajti tha se Irani goditi edhe një tjetër port, duke shkaktuar sërish vetëm dëme materiale.
Arabia Saudite ka raportuar se ka interceptuar raketa balistike dhe dronë nga Irani, ndërsa Riadi ka deklaruar se po humbet durimin me Teheranin, duke paralajmëruar për sulme hakmarrëse.
Lufta në Lindjen e Mesme ka vënë Izraelin në luftë në të gjitha frontet kundër milicive të mbështetura nga Irani. Tel Avivi zyrtar deklaroi se kishte bombarduar strukturat e Hezbollahut në Bejrut, kryeqytetin e Libanit, si dhe në jug të këtij shteti.