Incidente, sulme dhe tensione gjatë zgjedhjeve lokale në Serbi
Zgjedhjet lokale në 10 qytete dhe komuna në Serbi po zhvillohen në një klimë të tensionuar, të shoqëruar me incidente dhe akuza për parregullsi. Vëzhguesit dhe organizatat raportojnë probleme që nga orët e para të votimit.
Procesi zgjedhor në disa komuna është shoqëruar me përleshje fizike, sulme ndaj gazetarëve dhe qytetarëve, si dhe dyshime për manipulime zgjedhore. Janë raportuar lista paralele të votuesve, transport i organizuar i votuesve dhe prani e personave të paidentifikuar pranë qendrave të votimit.
Në disa qytete janë regjistruar sulme të drejtpërdrejta ndaj gazetarëve dhe aktivistëve. Në Bajina Bashta janë sulmuar gazetarë dhe qytetarë që po dokumentonin procesin zgjedhor, ndërsa janë dëmtuar edhe automjetet e vëzhguesve, përfshirë shpimin e gomave. Në Bor janë raportuar rrahje të gazetarëve dhe aktivistëve pranë qendrave të votimit, ndërsa sipas dëshmive, disa prej tyre janë sulmuar nga grupe të organizuara.
Situata më e tensionuar është regjistruar në Kullë, ku grupe personash të maskuar, të armatosur me shufra metalike dhe mjete të forta, kanë dalë nga zona e stadiumit dhe kanë sulmuar qytetarë. Sipas raportimeve nga terreni, ka pasur të lënduar dhe përplasje mes qytetarëve dhe policisë. Dëshmitarët raportojnë, sipas mediave, se janë përdorur edhe mjete të rrezikshme dhe se aktivistët janë ndjekur dhe kërcënuar pasi kanë zbuluar parregullsi, si lista të dyfishta të votuesve.
Në disa vende është vërejtur prani e shtuar e policisë pranë qendrave të votimit dhe në hapësirat publike. Në disa raste, policia ka ndërhyrë për të ndarë përplasjet mes mbështetësve të pushtetit dhe qytetarëve të tjerë, në përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës.
Misioni vëzhgues CRTA ka regjistruar një sërë parregullsish, përfshirë pengimin e vëzhguesve për të hyrë në qendra votimi, prani të personave të paautorizuar që paraqiten si vëzhgues, si dhe raste të sjelljes së organizuar të votuesve. Janë evidentuar edhe shkelje të fshehtësisë së votës, përfshirë fotografimin e fletëvotimeve dhe votimin në grup.
Reagime të ashpra kanë ardhur edhe nga niveli evropian. Demokratët Evropianë kanë kritikuar drejtpërdrejt presidentin Aleksandar Vuçiq:
“Kështu duket demokracia e Aleksandar Vuçiçit – bandat në qendrën e votimit. Nuk është një incident, është një sistem. Kur dhuna mbron qeverinë, zgjedhjet nuk janë më të lira”, shkroi Partia Demokratike Evropiane në Twitter.
Zgjedhjet po mbahen në Bor, Bajina Bashta, Kullë, Majdanpek, Klladovo, Aranëelovac, Smederevska Palanka, Luçan, Knjaëevac dhe Sevojno, ku në shumicën e këtyre komunave aktualisht është në pushtet koalicioni i udhëhequr nga Partia Progresive Serbe, e presidentit Vuçiq. Përveç tij, në garë marrin pjesë edhe partitë opozitare, si dhe lista të mbështetura nga studentët.
Këto zgjedhje zhvillohen në një kontekst më të gjerë shoqëror, pas një periudhe protestash të mëdha qytetare dhe studentore. Për këtë arsye, vota lokale po shihet jo vetëm si zgjedhje për pushtetin vendor, por edhe si një tregues i gjendjes politike në vend dhe një provë nëse energjia e protestave mund të përkthehet në rezultat zgjedhor.
