Damasku njofton sulm me dronë ndaj bazave pranë kufirit me Irakun
Ushtria siriane njoftoi sot një sulm me dronë në shkallë të gjerë, që shënjestroi disa nga bazat e saj në lindje të vendit, pranë kufirit me Irakun, në agim.
Damasku po përpiqet të qëndrojë jashtë luftës rajonale, e cila ka hyrë në muajin e saj të dytë, por ka raportuar disa incidente në territorin e tij.
Në një deklaratë, ushtria tregoi se një “sulm me dronë në shkallë të gjerë shënjestroi disa baza ushtarake pranë kufirit irakian”.
“Njësitë tona ishin në gjendje të sprapsnin shumicën e dronëve dhe t’i rrëzonin”, shtoi ushtria, duke deklaruar se po shqyrton opsionet për hakmarrje dhe se do të parandalojë çdo agresion kundër territorit sirian.
Dje, Siria njoftoi se kishte sprapsur një sulm me dronë me origjinë nga Iraku kundër bazës amerikane në Qasrak, në verilindje.
“Ne e mbajmë Irakun përgjegjës dhe i bëjmë thirrje të parandalojë përsëritjen e sulmeve që kërcënojnë stabilitetin tonë”, deklaroi zëvendësministri sirian i Mbrojtjes, Sipan Hamo.
Të shtunën, ushtria njoftoi se kishte zmbrapsur një sulm të ngjashëm, të nisur nga Iraku, kundër al-Tanf, një bazë në juglindje që më parë strehonte forcat amerikane.
Më 24 mars, ajo raportoi se një tjetër bazë e saj, në verilindje, ishte shënjestruar nga raketat e lëshuara nga Iraku.
Një zyrtar irakian akuzoi një grup të armatosur vendas dhe katër persona u arrestuan në Irak.
Iraku u përfshi në luftën që filloi më 28 shkurt me ofensivën amerikano-izraelite kundër Iranit, e cila që atëherë ka përfshirë pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme.
Presidenti sirian Ahmad al-Sharaa tha se po punonte për ta mbajtur vendin e tij, i cili po del nga një luftë e gjatë civile, larg armiqësive. /atsh