Trumpi kërkon 152 milionë dollarë për rihapjen e burgut famëkeq Alcatraz

Trumpi kërkon 152 milionë dollarë për rihapjen e burgut famëkeq Alcatraz

Bota April 04, 2026 - 16:09

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërkuar 152 milionë dollarë për të rihapur burgun famëkeq Alcatraz si pjesë e buxhetit të tij të propozuar për vitin fiskal 2027.

I vendosur pranë Golden Gate Bridge në San Francisco, burgu i njohur edhe si “The Rock”, dikur konsiderohej një nga burgjet më famëkeqe të Amerikës, por vitet e fundit ka shërbyer si atraksion turistik, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Kërkesa buxhetore synon të sigurojë fonde për ta rindërtuar Alcatraz-in si një objekt modern burgu me siguri të lartë, ku fondet do të mbulojnë kostot e vitit të parë.

Plani është pritur me skepticizëm nga një numër politikanësh në Kaliforni, ku janë ngritur pyetje për koston përfundimtare të projektit dhe sfidat e funksionimit të Alcatraz-it si një burg aktiv.

Objekti i sigurisë maksimale u mbyll në vitin 1963 teksa tash si destinacion turistik, aktualisht ai administrohet nga National Park Service.

Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, tha se propozimi buxhetor i administratës Trump ishte “absurd në vetvete dhe duhet të refuzohet menjëherë”.

“Rindërtimi i Alcatraz-it në një burg modern është një ide e marrë që nuk do të ishte asgjë më shumë sesa shpërdorim i parave të taksapaguesve dhe një fyerje për inteligjencën e popullit amerikan.”

Kërkesa do të duhet të miratohet nga Kongresi amerikan teksa kritikat e mëparshme ndaj planit të Trump-it kanë theksuar mungesën e ujit të rrjedhshëm dhe të sistemit të kanalizimeve në ishull, si dhe faktin që të gjitha furnizimet duhet të transportohen me anije.

Në kohën kur Alcatraz u mbyll, operimi i tij ishte tri herë më i shtrenjtë se çdo burg tjetër federal.

“Burgu do të strehonte kriminelët më të pamëshirshëm dhe më të dhunshëm të Amerikës”, pati thënë Trump vitin e kaluar.

Alcatraz fillimisht ishte një fortesë mbrojtëse detare, përpara se të shndërrohej fillimisht në burg ushtarak dhe më pas në burg federal në vitet 1930, pasi u mor nën administrim nga Departamenti i Drejtësisë.

Disa nga të burgosurit më të njohur kanë përfshirë gangsterë famëkeq si Al Capone, Mickey Cohen dhe George “Machine Gun” Kelly.