Lirohet pas një jave gazetarja amerikane, që u rrëmbye në Bagdad
Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio ka njoftuar se gazetarja Shelly Kittleson, e cila u rrëmbye rreth një javë më parë në Bagdad (kryeqyteti irakian), është liruar.
Grupi militar i mbështetur nga Irani, Kataib Hezbollah, kishte njoftuar më herët gjatë ditës së martë se do ta lironte Kittleson-in, e cila u rrëmbye më 31 mars, me kusht që ajo të largohej menjëherë nga Iraku.
Rubio tha se lirimi i saj “reflekton angazhimin e palëkundur të administratës Trump për sigurinë e qytetarëve amerikanë, kudo që ndodhen në botë”. Ai falënderoi zyrtarët irakianë për ndihmën e dhënë në sigurimin e lirimit të saj dhe shtoi se SHBA-të tani “po punojnë për të mbështetur largimin e saj të sigurt nga Iraku”.
Sipas BBC në kohën e rrëmbimit të 49-vjeçares, qeveria irakiane tha se forcat e sigurisë kishin ndjekur të dyshuarit në një ndjekje që çoi në përmbysjen e një makine të rrëmbyesve dhe arrestimin e një personi.
Javën e kaluar, kryeministri irakian Mohammed Shiaa al-Sudani urdhëroi forcat e sigurisë të ndiqnin ata që ishin përgjegjës për rrëmbimin e të huajve.
Në një postim të veçantë, Assaf tha se grupi do të publikonte një regjistrim që tregonte “rolet dhe aktivitetet e Kittleson-it në Irak”, pa dhënë detaje të tjera.
Rrëmbimi ndodhi mes sulmeve të vazhdueshme nga Irani dhe milicitë shiite irakiane të lidhura me të ndaj objektivave të lidhura me SHBA-të në Irak dhe rajon, që prej shpërthimit të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.
Miku i gazetares, analisti i sigurisë kombëtare në CNN, Alex Plitsas, tha se e kishte parë “deklaratën e supozuar” për lirimin e saj, por shtoi: “nuk kemi asnjë konfirmim zyrtar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara që kjo është e vërtetë”.
Mësohet se zyrtarët amerikanë e kishin kontaktuar Kittleson-in disa herë para se të rrëmbehej për ta paralajmëruar për kërcënimet ndaj saj.
Plitsas kishte deklaruar më parë se Kittleson ishte paralajmëruar nga qeveria amerikane për një kërcënim specifik ndaj saj nga paramilitarët e mbështetur nga Irani. Emri i saj ishte në një listë në posedim të grupit të Kataib Hezbollah, që thuhej se po planifikonte të rrëmbente ose vriste gazetare femra.