Anija e parë cisternë e naftës joiraniane kalon Ngushticën e Hormuzit
Presidenti amerikan, Donald Trump thotë se Irani po “bën një punë shumë të dobët” në lejimin e kalimit të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, ndërsa armëpushimi dyjavor varet nga hapja e këtij korridori kyç nga Teherani.
Që nga shpallja e armëpushimit, vetëm disa anije iraniane kanë kaluar përmes ngushticës, ndërsa një anije cisterne nafte (tanker) joiraniane kaloi aty mëngjesin e djeshëm.
Anija MSG, një tanker me flamur të Gabonit, kaloi përmes “rrugës me taksë” të ngushticës në orët e para të mëngjesit, shkruan skynews.
Anija e konfirmoi në mënyrë indirekte kalimin e saj kur u shfaq më vonë gjatë mbrëmjes në sistemet e gjurmimit në Gjirin e Omanit.
Sipas të dhënave të MarineTraffic, tankeri po transporton rreth 7000 ton karburant nafte, duke udhëtuar nga porti Ghantout në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe me destinacion Indinë.
Gjurmimet tregojnë se anija ka qenë e ankoruar pak më shumë se 25 km larg bregut të Emirateve të Bashkuara Arabe nga 5 deri më 7 prill, ndoshta duke pritur momentin për të kaluar.
Imazhet satelitore tregojnë anije të tjera që presin në të njëjtin vend; njëra prej tyre duket se përputhet saktësisht me përmasat e MSG.
Sipas të dhënave të firmës së inteligjencës detare Lloyd’s List Intelligence, mbi 600 anije janë të bllokuara në Gjirin Persik, dhe 154 prej tyre janë tankerë që transportojnë ngarkesa. Sipas tyre, pastrimi i këtij ngërçi pritet të zgjasë disa javë. /abcnews